2010-03-08 16:56:02

Vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Sudanit: Imzot Maxolari flet për një Kishë të vogël pranë të varfërve, në Shtetin më të madh afrikan.


(08.03.2010 RV)Shteti më i madh i Afrikës, me 37 milionë banorë, nga të cilët rreth 80% myslimanë, ndërsa 17%, të krishterë. Ky është Sudani, vendi që s’gjen paqe, sepse i stërmunduar nga konflikte të vazhdueshme, që nuk pushuan as pas njohjes së qeverisë së pavarur jug-sudaneze më 2005 dhe armëpushimit të nënshkruar më 24 shkurt në zonën e martirizuar perëndimore të Darfurit. Në këtë çast vendimtar historik, në prag të zgjedhjeve dhe një vit pas referendumit për pavarësisnë e zonave jugore, të banuara me shumicë nga të krishterët, filloi sot vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Sudanit. Të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, ipeshkvin e dioqezës jugsudaneze të Rumbekut, imzot Qesar Maxolari, i cili që në fillim vlerëson lart vlerën e vizitës në Vatikan:

Përgjigje: - Për ne është një vlerë e pamasë, sepse jemi në prag të zgjedhjeve, që do të organizohen më 11 prill, për të zgjedhur presidentët dhe anëtarët e parlamenteve në Veri e në Jug. Shpresojmë se Vatikani do të ngrejë zërin, duke u bërë thirrje sundimtarëve të Sudanit për të krijuar një atmosferë sa më të qetë në këto zgjedhje e për të forcuar paqen e vërtetë në Sudan.

Pyetje: - Cili është urimi juaj për zonat jugore, të banuara me shumicë nga të krishterët?

Përgjigje: - Varfëria më e madhe e popullsive të Sudanit është posaçërisht mungesa e identitetit. Pikërisht identiteti nuk u lejua kurrë, në shekuj, në kushtet e sundimit të një qeverie islamike fondamentaliste, e cila e shtyp popullsinë e Jugut, popullsi që dëshiron ta zbulojë identitetin e vet e të marrë në dorë fatin e vet.

Pyetje: - Një tokë tjetër e martirizuar është ajo e Darfurit. Ç’po bën Kisha në këtë zonë?

Përgjigje: - Kisha ka qenë gjithnjë e pranishme e kërkon edhe të çojë ndihmën e vet humanitare. Ia shprehëm që në fillim qeverisë mendimin tonë për atë, që e konsiderojmë genocid të mirëfilltë, në rastin e Darfurit. Po fjala jonë nuk u dëgjua e prandaj na duhet të vijojmë thirrjen, ndonëse jo pa vështirësi të mëdha. Sudani është shteti më i madh i Kontinentit afrikan, por ka vetëm nëntë dioqeza, pa harruar se ndoshta është edhe vendi më i varfër në botë. Burimet tona, pasuritë tona natyrore e njerëzore, mbeten ende të pazhvilluara. Si t’i kemi zbuluar identitetin tonë e aftësitë tona, do të zbulojmë edhe pasuritë e do t’i zhvillojmë. Ndërkaq vijojmë të jetojmë në varfëri e pasiguri e edhe Kisha është e varfër e ecën me të varfërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.