Ndeshje ndërfetare në Nigeri. Afër 500 viktima e mijëra vetë në ikje
(08.3.2010 RV)Ndeshjet ndëretnike e ndërfetare në Nigeri kanë shkaktuar afër
500 të vrarë, e me mijëra persona kanë janë dëbuar prej shtëpive, afër qytetit Jos.
Këtu banorët e tri fshatrave në jug të këtij qyteti thanë se barinjtë lokalë myslimanë
sulmuan natën ndërmjet së shtunës e të dielës bujqit e krishterë të etnisë Berom.
Kështu njofton ministri i informacionit të qeverisë lokale, Gregory Yenlong. Barinjtë
myslimanë hapën zjarr kundër bujqve të krishterë e familjarëve që njerëzit të dilnin
nga shtëpitë dhe më pas i sulmuan ata. Disa shtëpive iu vu zjarri. Në një prej
fshatrave pohojnë se numëruan më shumë se 100 viktima të lëna përjashta. Edhe 18 trupa
të tjerë u dërguan në një morg në qytetin Jos. Shumica e të vrarëve ishin fëmijë,
gra , pleq. Pjesa më e madhe e personave që mbijetuan nga kjo dhunë e tërbuar ka pasur
nevojë për mjekime, e afër 200 veta janë shtruar në spitale të Josit , tha Yenlong.
Qyteti Jos ka përjetuar 4 incidente të tilla mes myslimanëve dhe të krishterëve gjatë
dekadës së fundit. Incidenti më i fundit ndodhi në janar, kur u vranë të paktën 325
veta.