2010-03-08 16:33:13

Benedikti XVI në famullinë romake të Shën Gjonit të Kryqit: mos prisni lajme të tjera; bëhuni ju vetë misionarë të Krishtit.


(08.03.2010 RV)Ta kapërcejnë përtacinë shpirtërore, që të bëhen gurë të gjallë, të aftë për ta kumtuar e për ta rrënjosur në çdo mjedis ku jetohet e punohet ditë për ditë, mesazhin e Jezu Krishtit. Këtë porosi të madhe i dha Benedikti XVI turmës së besimtarëve të famullisë romake të Shën Gjonit të Kryqit, të cilën e vizitoi dje paradite. Papa kryesoi kremtimin e Meshës, në praninë e kardinalit-mëkëmbës Agostino Valini e, para se të kthehej në Vatikan, u takua edhe me Këshillin famullitar.
 “Në qendër të Kishës a në rrethinat e fesë, prirja për të pritur nuk mund të bëjë pjesë në ADN-në e të krishterit. Është ai që duhet ta jetojë Ungjillin plot gjallëri, që duhet t’ia çojë atyre, të cilët nuk e njohin. E nuk duhen pritur të tjerë e mesazhe të tjera, që nuk të prijnë drejt jetës së amshuar”.
Me këto fjalë Benedikti XVI u preku zemrën qindra besimtarëve, të cilët që në orët e para të mëngjesit të djeshëm mbushën plot mjediset e brendshme e të jashtme të famullisë së Shën Gjonit të Kryqit, në Kodrën Salario, të zbukuruar për festë. Është fjala për një Kishë, që punon në një lagje të re romake, në gjirin e trimijë familjeve, të cilave shumë shpejt do t’u shtohen edhe të tjera, besuar meshtarit don Enriko Gjema dhe bashkëpunëtorëve të tij. Është, pra, një realitet – nënvizoi Papa në homeli – që ka nevojë për limfën jetike të shekullarëve, të cilët janë të thirrur ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre e të fitojnë pjekurinë e thirrjes së tyre:
Të shumëdashura familje të krishtera, të shumëdashur të rinj, që banoni në këtë lagje e që ndiqni famullinë, uroj të jeni gjithnjë plot me dëshirë për t’ia kumtuar të gjithëve Ungjillin e Jezu Krishtit. Mos prisni që të tjerë të vijnë e t’ju sjellin mesazhe të tjera, të cilat nuk çojnë në jetë, por bëhuni ju vetë misionarë të Krishtit për vëllezërit, atje ku jetojnë, punojnë, studiojnë ose kalojnë kohën e lirë. Niseni edhe këtu punën baritore, që kërkon edukimin e familjeve e të të rinjve për t’u lutur e për ta jetuar jetën si dhuratë që vjen nga Zoti”.
Benedikti XVI, i veshur me paramentet ngjyrë vjollcë të Kohës së Krezhmëve, hyri në Kishë rreth orës 9.30, pasi u ndalua disa minuta për të përshëndetur besimtarët e radhitur në të dy krahët e portës së madhe të famullisë. E pikërisht për liturgjinë krezhmore u foli, posaçërisht për fragmentin e Ungjillit, në të cilin Jezusi komenton dy fakte tragjike të kronikës: ekzekutimin e disa krimenelëve dhe shembjen e një kulle – për t’u shpjeguar, më pas, dishepujve – vijoi Papa - domethënien e pendesës, që të shpëton nga një lloj tjetër vdekjeje, nga vdekja e shpirtit:
Për Krezhmë, Zoti e fton secilin nga ne të bëjë kthesën e madhe në jetë, duke menduar e duke jetuar sipas mësimeve të Ungjillit, duke korrigjuar diçka në mënyrën e të luturit, në veprime, në punë e në marrëdhëniet me të tjerët. Jezusi nuk na e bën këtë thirrje me rreptësi, si qëllim në vetvete, por pikërisht sepse shqetësohet për të mirën tonë, për lumturinë tonë, për shpëtimin tonë. Nga ana jonë, duhet t’i përgjigjemi me një përpjekje të sinqertë shpirtërore, duke iu lutur të na tregojë në ç’drejtime duhet të pendohemi e të bëjmë kthesë”.
Papa vlerësoi, në veprimtarinë e bashkësisë së re famullitare, hapjen e portave për lëvizjet kishtare, që ndihmojnë për të fituar pjekuri gjithnjë më të madhe në veprimtarinë e Kishës. Më pas shprehu kënaqësinë e tij për frymën e bamirësisë me të cilën punojnë grupet e ndryshme, si Karitasi ose Shën Egjidi, duke parashikuar nevojat e territorit, posaçërisht në ndihmë të familjeve më varfëra. Është një frymë që lulëzoi që në zanafillë – shtoi Papa – duke kujtuar se famullia lindi më 1989, me pak mjete, por me shumë besim në Provaninë hyjnore e në vlerat e fesë:
“Me vizitën time dëshiroj t’ju inkurajoj ta realizoni gjithnjë më mirë Kishën e gurëve të gjallë, që jeni ju vetë. E di se përvoja e dymbëdhjetë vjetëve të para krijoi atë stil jete, që vijon edhe sot e kësaj dite. Mungesa e strukturave të përshtatshme e të traditave të qëndrueshme, ju nxiti t’ia besoni vetveten forcës së Fjalës së Zotit, e cila qe gjithnjë llambë e ndezur në rrugën tuaj e solli fryte konkrete të pendesës, të kthimit në rrugën e Zotit, të pjesëmarrjes në Sakramentet, posaçërisht në Eukaristinë e së dielës, e në shbërbim. Ju nxis sot ta bëni këtë Kishë vend, ku njeriu mëson gjithnjë më mirë ta dëgjojë Zotin, i cili na flet në Shkrimet e Shenjta”.
Festa, organizuar për nder të Papës, vijoi edhe pas përfundimit të Meshës, kur Benedikti XVI shkoi në njërën nga sallat e famullisë, për të përshëndetur anëtarët e Këshillit famullitar:
“Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj me gjithë zemër për përvojën e bukur para-Pashkëve që më dhuruat në këtë të dielë paradite(...) Ju lutem të vijoni ecjen në këtë drejtim, të ndërtoni vazhdimisht Kishën e gurëve të gjallë e kështu të jeni edhe qendër e rrezatimit të Fjalës së Zotit në botën tonë, e cila ka tepër nevojë për këtë Fjalë të jetës, që vjen nga Zoti (…). Falemnderit për gjithë punën tuaj, ju uroj përparim të mëtejshëm shpirtëror(…). Ju falënderoj të gjithëve, për shumë vjet Pashkët!”.
Pastaj, përshëndetja e fundit, duke kaluar përsëri përmes turmës, që priste ta përqafonte dhe një herë me dashuri të madhe Papën, përpara mjediseve të famullisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.