2010-03-07 15:19:48

Sot më 7 mars kalendari Kishtar përkujton shenjtoret Perpetua e Feliçita, martire


(07.3.2010 RV)Të arrestuara, derisa ishin ende katekumene, Perpetua, nënë njëzetedyvjeçare e një ferishteje, ende për gjini dhe skllavja e saj, Feliçita, edhe ajo nënë e re e një foshnjeje, lindur në qelitë e burgut, u pagëzuan me ujin e sakramentit pak para se të pagëzoheshin me gjakun e tyre, derdhur për t’i qëndruar besnike Krishtit. U munduan t’i bindnin për të hequr dorë nga feja e krishterë: armiqtë e Zotit - me tortura e me vdekje; familjarët - me lutje e me lot. Për të shpëtuar jetën mjaftonte vetëm një fjalë, vetëm një gjest: t’i thonin “jo” Krishtit e të gjunjëzoheshin para idhujve.

Dy Martiret - siç na kujtojnë Veprat e Martirëve, shkruar nga Tertuliani, shkuan krah për krah drejt vdekjes, ashtu siç shkohet në një festë. Ishte data 7 mars e vitit 203. Ato i priste një shfaqje e tmerrshme, tragjike, organizuar në amfiteatër, ku personazhet ishin dy nënat e reja e bishat e egra. Vdekje spektakolare. Perpetua e Feliçita hynin në Kishë me martirizimin, që fillonte në arenë, ku bishat rrëzonin përdhé të dënuarit me vdekje. Perpetua pa Feliçitën duke rënë, e larë në gjak, nën goditjen e brirëve të buallit të egër. U përpoq ta mbështesë, po brirët nisën vallen e vet mbi veshjet e saj prej matrone e mbi trupin e saj të brishtë. Qëndrimi i nënës së re tronditi edhe turmën armike, duke krijuar çaste emocioni e mëshire. Por pastaj, e dehur nga gjaku i martireve, turma rifilloi ulërimën, kërkoi vdekjen e dy nënave të përqafuara, shndërruar në një grumbull mishi të përgjakur, që përpëlitej për tmerr. Atëherë një ushtar me shpatë zhveshur iu afrua martireve: dy koka u rrokullisen në arenë, për të ngopur etjen e turmës për gjak.

Kjo, që po tregojmë, ngjau në kohën e sundimit të Septim Severit, në Kartagjenë, në veri të Afrikës. Nuk është përrallë, as emfazë: është një e vërtetë historike, që flet vetë për madhështinë e fesë së krishterë.
Dy nënat e shenjta u martirizuan bashkë, bashkë u lartuan në nderimet e elterit e po bashkë kremtohen sot nga Kisha.

Emri Feliçita vjen nga latinishtja e do të thotë “e kënaqur, e lumtur”; në sa Perpetua - gjithnjë nga latinishtja - do të thotë “me fe të patundur”.Të dyja shenjtoret kanë si simbol palmën e martirizimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.