2010-03-07 14:10:24

Prifti i jashtëzakonshëm dom Gaspër Gjini në 25 vjetorin e vdekjes.


(07.03.2010 RV)Kanë kaluar 25 vjet nga vdekja e meshtarit të jashtëzakonshëm dr. dom Gaspër Gjinit. Prifti e studiuesi i madh shqiptar nga Kosova, lindi më 24 shtator 1930 në Ferizaj, në familjen e madhe të Kolës e të Dushe Gjinit, që lindën, rritën e edukuan 12 fëmijë.
Gaspri u shugurua meshtar më 2 korrik 1955. Më vonë shkoi në Romë, ku pas studimeve në Universitetin Papnor Urbaniana, më 1968 mbrojti doktoratën me temë “Mbi burimet historiko-juridike të Kishës së Shkupit”.
Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi veprimtarisë baritore, në fillim si sekretar i ipeshkvit, më pas si kancelar i dioqezës dhe si famullitar në Ferizaj e në Shkup. Vite me radhë shërbeu si kryetar i Gjyqit kishtar e si bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”. Gjatë kësaj kohe don Gaspër Gjini përpiloi dhe botoi librin e uratëve “Shűjta shpirtërore” e shkrime tjera mbi Koncilin e Dytë të Vatikanit.
Mbylli sytë 25 vjet më parë, si sot, më 7 mars 1985 në spitalin e Beogradit, në sa ishte në kulmin e pjekurisë shkencore. Don Gaspër Gjini qe njeri me virtyte të rralla, me kulturë poliedrike, na la trashëgim veprën madhore postume: "Ipeshkvia Shkup -Prizren nëpër shekuj", botuar në Zagreb, më 1992.







All the contents on this site are copyrighted ©.