2010-03-07 14:07:07

Heshtja e Perëndimit për dhunën kundër të krishterëve. Libër-denoncim i René Guitton


Heshtja e Perëndimit, e në veçanti e Evropës, për dhunën kundër të krishterëve në botë: këtë denoncon në librin e tij shkrimtari dhe intelektuali francez René Guitton, anëtar i rrjetit të ekspertëve të OKB-së për Aleancën ndërmjet Qytetërimeve. Vëllimi titullohet “Kristianofobia – persekutimi i ri” dhe në Francë ka fituar Çmimin për të drejtat e njeriut. Kryeipeshkvi italian i Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte ka mbajtur kohët e fundit me René Guitton një dialog publik në Universitetin e Kietit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Libri niset nga faktet. René Guitton ka mbledhur të dhëna të pamohueshme, që u referohen persekutimeve kundër të krishterëve në shumë vende të botës, sidomos në zonat islamike, dhe ka vënë në dukje se si para këtyre fakteve kemi heshtjen e shumicës së organeve të informacionit, të opinionistëve, të inteligencies, në vendet e Perëndimit, e sidomos në Evropë. Natyrisht, pyetja e parë që të vjen ndërmend është “pse kjo heshtje?”, e ja ku Guitton nxjerr në dritë një lloj paragjykimi laicist, që në emër të një laiciteti të rremë, lë mënjanë çdo formë mbështetejeje, apo mbrojtjeje të krishterimit, edhe në kushte kur kemi të bëjmë thjesht me mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të dinjitetit të personave. Mundohen kështu të favorizojnë një të ashtuquajtur “dialog ndërfetar”, që në të vërtetë është thjesht humbje identiteti. Pra, alarmi është shumë serioz dhe ndoshta i ndihmon të gjithë, edhe vetë të krishterët, të bëhen të ndërgjegjshëm për situatën e rëndë dhe për nevojën e vetëdijes për atë që është në lojë: e drejta e lirisë fetare për të krishterët e gjithë të tjerët.
Në Perëndim, denoncimi i drejtë i persekutimeve të të krishterëve në vendet myslimane, a nuk rrezikon të kthehet në urrjetje kundër tyre, në “islamofobi”, siç thuhet?
Natyrisht, ekziston ky rrezik, por kjo nuk do të thotë që të mos denoncohen me forcë format e “kristianofobisë”. Unë mendoj se gjithçka varet si e bën këtë. Nëse denoncimi bëhet në emër të ndonjë fushate, të ndonjë kryqëzate kundër tjetrit, natyrisht do të ishte i gabuar; por nëse denoncimi bëhet për të vendosur drejtësinë e paqen, për të nxitur respektin e të drejtave të njeriut të të gjithëve dhe, bëhet me një stil dialogu e takimi, duke kërkuar përgjegjësinë e përbashkët dhe reciprocitetin, mendoj se kjo mund t’i bëjë vetëm mirë paqes ndërmjet kombeve.
Pra, është e nevojshme që Perëndimi ta ngrejë zërin për të denoncuar persekutimet e të krishterëve në vende të ndryshme të botës…
Sigurisht, mendoj se është një e drejtë-detyrë e të gjithëve për të mirën e të gjithëve; pra nuk është diçka e njëanshme. Është vërtet shërbim që i bëhet të gjithëve, është kërkesa për një alternativë në krahasim me logjikën e ndeshjes, një alternativë, që është logjika e dialogut dhe e së vërtetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.