2010-03-07 14:08:54

Filmit “Bella”i jepet çmimi evropian për jetën “Nënë Tereza e Kalkutës”.


(07.03.2010 RV)Të martën e kaluar, në Romë, Lëvizja për Jetën i dha çmimin evropian për jetën “Nënë Tereza e Kalkutës”, filmit ‘Bella’ dhe protagonistit e bashkëprodhuesit të tij, Eduardo Verastegui. Kampion në SHBA, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, filmi në mbrojtje të jetës, tregon me tone delikate se jeta e dashuria janë më të forta se vetë vdekja.
Himn për jetën, vë në qendër të vëmendjes bukurinë e miqësisë, të familjes, të ndjenjave e, mbi të gjitha, dashurinë: për të flet kryesisht filmi ‘Bella’, në të cilin gërshetohen historia e një gruaje të re (Nina), që humbet punën, sepse është shtatzënë dhe e një djaloshi (Hosè), futbollist që premton shumë, i cili pas një aksidenti tragjik, detyrohet të ndërrojë mënyrën e jetesës. Në këtë poezi plot shpresë, roli krysor interpretohet nga Eduardo Verastegui, 35 vjeç, meksikan, i cili pas një jete të çkujdesur e arritjeve të mëdha profesionale në nivel kinematografik, kupton se jeta e tij është krejtësisht e zbrazët. E atëherë i afrohet fesë e zgjedh një rrugë të re. Mendon se duhet të jetojë krejt ndryshe. Por, ta dëgjojmë vetë Eduardo Verastegui-n:
“Suksesi i filmit ‘Bella’ nuk janë çmimet që mora, por thirrjet telefonike, e-mail-et, marrë nga njerëz, të cilët e kanë provuar përvojën tonë, domethënë, ky film u ka ndryshuar jetën, posaçërisht grave shtatzëna që, pasi kanë parë filmin, kanë vendosur të mos abortojnë. Le ta falënderojmë me gjithë zemër Zotin: shpëtuan më se 300 foshnja. Por edhe sikur të ishte një fëmijë i vetëm, ia vlente mundimi që u bë për këtë film”.
E në sa flitet për filmin fitues e për çmimin që mban emrin e Nënë Terezës , nuk mund të mos kujtojmë një nga fjalimet më të rëndësishme, që mbajti e Lumja shqiptare në tribunën e Oslos. Duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Nënë Tereza foli në një mënyrë krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura të njerëzmit. Ja si u shpreh Nënë Tereza:
“Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.