2010-03-07 14:09:16

Atë Luigj Paliqi, në përvjetorin e martirizimit për Fe e Atdhe


Atë Luigj Paliqi lindi në Janjevë (Kosovë), në ipeshkvinë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879.
Pas shkollë fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë).
Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901.
U shugurua meshtar më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shëna Ndout në Gjakovë. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës.
Pas shugurimit meshtarak u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studimi pas-universitare.
Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvninë e Shkodrës.
Gjatë viteve 1907-1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë).
U martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913, ku përkohësisht edhe u varros. Trupi i tij më vonë u transferua në varrezat e Shën Gjergjit, në famullinë e Zymit. Jetoi duke dëshmuar fenë në Zotin, idealetdhe të vërtetën për fe e atdhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.