2010-03-07 14:06:50

Atë Federiko Lombardit: “Benedikti në udhëtim”


Javës që kaloi, Papa Benedikti XVI shpalli se do të shkojë në Spanjë. Më 6 nëntor do të jetë në Santiago të Kompostelës, me rastin e Vitit të Shenjtit e, më 7 nëntor, do të jetë në Barcelonë, për të shuguruar elterin e Kishës së madhe të “Sagrada Familia”, vepër e arkitektit katolik, Antonio Gaudì. Të dëgjojmë për këtë, komentin e zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit:
“Besonim se lista e udhëtimeve ndërkombëtare të Papës për vitin 2010 ishte përcaktuar tashmë me numrin e zakonshëm të katër vizitave apostolike, por ja që, me një vendim të papritur, Benedikti XVI pranoi dy ftesa të tjera në Spanjë dhe numri i udhëtimeve – përveçse në Maltë, Portugali, Qipro dhe në Britaninë e Madhe – u rrit në pesë. Po mirë: Mesdheu e Lindja e Mesme, Gadishulli Iberik dhe Evropa Veriore. Nuk janë distanca të jashtëzakonshme, por ambiente shumë të ndryshme njëri nga tjetri. Do të na duhet të dëgjojmë, të marrim pjesë e të mësojmë.
Në veçanti, dy vendet e fundit në Spanjë janë shumë tërheqëse. Barcelona dhe kisha e “Sagrada Familia” (Familjes Shenjte): kryeipeshkvi, kardinali Sistak e quan tempull “me domethënie artistike, biblike, teologjike, shpirtërore e katekistike, unik në botë”. Sintezë origjinale arti e feje, lindur nga gjeniu Gaudì, do t’i japë Papës rastin e çmuar për të vazhduar dialogun me artin, rifilluar me intensitet prej tij në takimin e fundit me artistët në Kapelën Sikstina. Santiago di Kompostela, qendër për shtegtarët, që shkojnë aty prej shekujsh nga e gjithë bota, është vendi ku dëshmohet se tema e rrënjëve të krishtera të Evropës nuk është teori abstrakte, por përvojë konkrete e shumë njerëzve, me prejardhje nga më të ndryshmet, që shkojnë aty të frymëzuar nga përshpirtëria e përbashkët. Me ta, Papa Benedikti vazhdon shtegtimin e tij, për t’i folur për Zotin çdo njeriu të kohës sonë, që është i gatshëm të kërkojë fytyrën e Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.