2010-03-05 16:35:13


Pakistan: vijojnë akuzat e rreme për blasfemi kundër bashkësisë së krishterë


(05.03.2010 RV)Kisha katolike në Pakistan vuan prej kohe nga shpërdorimet dhe manipulimet e ligjit mbi blasfeminë: rasti i fundit është ai i distriktit të Gujranvalës (në Penxhab). Një grua e krishterë, 34 vjeçe, Gulzar Kanval, pronare e një dyqani kozmetikësh në fshatin Vandu, u akuzua për blasfemi nga një grup myslimanësh, të cilët e kërcënuan dhe deshën ta rrihnin. Myslimanët, të gjithë dyqanxhinj të zonës, e patën kërcënuar disa herë, duke i kërkuar ta mbyllë lokalin e t’i japë fund veprimtarisë tregtare. Me që gruaja nuk pranoi, e akuzuan për blasfemi, duke inskenuar edhe protestën para dyqanit të saj. Policia, e lajmëruar nga të krishterët, arriti menjëherë në vend, duke shmangur rrezikun që situata të rëndohej më tej. Gjithsesi Gulzar Kanval u mbajt për disa orë në polici, për t’u liruar vetëm pasi u vërtetua pafajsia e saj.
Nuk është rasti i parë i kësaj natyre – shpjegon një burim katolik i Fides në Pakistan – këtu kërkohen vazhdimisht pretekste për t’i sulmuar të krishterët. Prandaj bashkësitë e krishtera të zonës duhet të jenë tepër të kujdesshme, sepse mund të sulmohen në çdo çast nga grupe fanatikësh myslimanë, të gatshëm për të përdorur dhunën.
Ngjarja e fundit tërheq vëmendjen mbi diskriminimin, që pësojnë pakicat fetare jo islamike në Paksitan, shpesh herë të injoruara nga forcat politike e nga autoritetet civile.
Kohët e fundit Faruk Hamid Naek, Kryeparlamentar federal e ish-Ministër i Drejtësisë, deklaroi se ‘pakicat fetare në Pakistan gëzojnë të drejta civile e barazi të plotë’.
Siç njoftojnë burimet vendase, bashkësia e krishterë e kundërshtoi këtë pohim, duke kujtuar se 20 milionë pakistanezë jo myslimanë e ndjejnë veten nënshtetas të klasës së dytë. Disa nene të Kushtetutës dhe të Kodit penal (i ashtuquajturi ‘ligj mbi blasfeminë’) me ngjyrime të spikatura islamike si dhe diskriminimet e hapura në administratën publike, dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme kushtet e vështira në të cilat jetojnë pakicat fetare në Pakistan. 







All the contents on this site are copyrighted ©.