2010-03-05 16:32:32

Greva e ndeshje në Greqi: sulmohet një nga krerët e sindikatës


(05.03.2010 RV)Gjendje e ndezur në Greqi, e cila është përfshirë nga një krizë ekonomike pa precedent. Sot u zhvillua një grevë e re e përgjithshme për të kundërshtuar planin e masave të ndërmarra nga qeveria. Në Athinë, ka pasur ndeshje ndërmjet manifestuesve e policisë. Një nga krerët e sindikatës është sulmuar. Ndërkaq, nga Berlini, ku sot kryeministri grek Papandreu është takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel, arrin refuzimi kategorik për ta ndihmuar Greqinë. Por si mund të dilet nga kjo situatë? Përgjigjet ekonomisti italian, Françesko Karlà:
Është e qartë se qeveria greke ndodhet mes dy zjarresh, pasi nga njëra anë duhet t’u japë përgjigje shtresave, që dëmtohen nga përpjekja për të qetësuar tregun e, nga ana tjetër, është vetë tregu. Dje, blerësit treguan mosbesim ndaj letrave me vlerë të Greqisë. Por ndoshta, këtu kanë gisht edhe bankat franceze e gjermane, të cilat do të dëmtoheshin më rëndë në rastin e falimentimit grek, jo vetëm si banka, por edhe për problemet që mund të shkaktohen në vlerën e euros. S’ka dyshim se Greqia duhej ta kishte menduar më parë punën, pasi akumulimi i një defiçiti prej 13% në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Brut, nuk mund ta lerë tregun indiferent dhe ka pasoja me afat të shkurtër e të mesëm.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.