2010-03-05 16:04:58

Dhunë në Irak: njëmijë familje të krishtera ikin nga Mosuli


(05.03.2010 RV)Mëse njëmijë familje të krishtera irakiane janë larguar nga Mosuli, duke u përhapur në territorin përreth tij. Me siguri nuk do të votojnë në zgjedhjet e së dielës, denoncon kryeipeshkvi siro-katolik i qytetit, i cili uron që pas votimeve, të fillojë një epokë e re, ku qeveria e zgjedhur të sigurojë respektimin dhe zbatimin e Kushtetutës, pa diskriminime. Nuk është e mundur, thotë imzot Kazmusa, që sa herë ka zgjedhje të krishterët të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës.
Ndërkaq, dje kanë votuar ushtarët, punonjësit e burgjeve e të shëndetësisë dhe të sëmurët e shtruar në spital. Sot ishte radha e irakianëve të diasporës. Për gjendjen në Mosul, na flet nga vendi, i dërguari i gazetës italiane “Corriere della Sera”, Lorenco Kremonezi:
Mosuli është një nga qytetet më të goditura nga terrorizmi, nga dhuna, nga atentatet e dy-tri vjetëve të fundit e ndër objektivat, janë pa dyshim të krishterët. Në qytet, banonin 1900 familje të krishtera. Të mos harrojmë se që prej vitesh, Iraku është tokë emigracioni për bashkësinë e krishterë, që është ndër më të lashtat e ndoshta më e lashta e Lindjes së Mesme. Ata thonë: “Ne jemi irakianët e vërtetë, shumë më parë se myslimanët”. Ndjehen pra, pjesë përbërëse e këtij vendi, e identitetit dhe e historisë së tij. Shumë prej këtyre familjeve kanë ikur nga Bagdadi pas vitit 2003, kur filloi vala e atentateve kundër kishave e institucioneve të krishtera. Shumë prej tyre gjetën strehë në Mosul, në Karakosh dhe në Alkosh, fshatra të mbrojtura të pllajës së Ninives, që historikisht është djepi i krishterimit në zonë. Gjatë dhjetë ditëve të fundit, vala e re e atentateve shkaktoi largime të reja. Shkaku kryesor për këtë është afrimi i zgjedhjeve politike.
Autoritetet civile lokale janë krejtësisht të paafta të garantojnë sigurinë e të krishterëve, apo jo?
Kjo është një nga akuzat që krerët e krishterë, anëtarë të Parlamentit – janë dy për bashkësinë e krishterë – dhe natyrisht, anëtarët e klerit u bëjnë autoriteteve dhe policisë. Njerëz të grupeve terroriste, të grupeve ekstremiste arrijnë të hyjnë në radhët e policisë e pastaj, e përdorin autoritetin e tyre për të sulmuar të krishterët.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.