Atë Lorenc Mazreku (Mitroviq) OFM në përvjetorin e lindjes
Atë Lorenc Mazreku (Mitroviç), martir i Fesë dhe i Kombit, lindi në Janjevë, të dioqezës
së Shkupit, më 5 mars 1872 në familjen e Antonit e Anastasisë Glasnoviq Si
kreu kolegjin françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar studimet për
filozofi e teologji. Atje edhe u diplomua. Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 28
gusht 1886; kushtet e përkohshme i bëri më 12 prill 1988, ndërsa Meshën e parë e çoi
më 7 korrik 1894, për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë. Më 1897
e gjejmë në Zllakuqan, ku ndërtoi kishën; më 1902 ndërtoi kishën dhe selinë kishtare
të Pejës. Pak kohë më pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar i Kuvendit
të Fretërve në Gjuhadol. Këtu punoi shumë për të kryer punimet e kishës françeskane
të Gjuhadolit.
Në veprën me vlera të mëdha të Atë Donat Kurtit “Provinça Françeskane
Shqiptare”1 për veprimtarinë e Atë Lorencit në ndërtimin e Kishës së Gjuhadolit, shkruhet:
“Fretënt banë çmos për me mbledhë ndihmat e nevojshme. Lypej pare e madhe.
Kjo punë i kje lanë kryekrejet P. Françesk Melchiorit, që tue pasë fitue dashuninë
e nderimin prej popullit, thirrej vetëm me emnin “Pader Françeskja”. Ky, i ndihmuem
prej P. Lorenc Mitroviqit, i cilli pat shkue n’ Hungari për me kërkue lëmoshë. Kallzohet
se në këtë rasë P. Lorenci pat ble në nji antikuar një seri (gjashtë) fuguresh të
vjetra të Zojës së Shkodrës tue ikë në Gjenacan. Këto fugure kjenë ruejtë në bibliotekë
të Kuvendit të Gjuhadolit deri në vjetën 1946. Kjenë riprodhue në të përkohshmen ‘Zani
i Shna Ndout”.
Në vijim, më 1906 qe sekretari i Atë Pal Dodajt, provinçal i
parë shqiptar i provinçës së Zojës Nunciatë. Si sekretar, hartoi nekrologun e provinçës. Më
1909 u zgjodh Kustod i Provinçës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi Urdhërin e Tretë
të Shën Françeskut.
Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar i Pejës ku, më 1942,
themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty e gjetën edhe gjermanët kur,
gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Në sajë të ndërmjetësisë së tij, në këtë periudhë
shpëtuan nga djegia dy kisha ortodokse: e Patriarkanës së Pejës dhe e Deçanit e, ajo
që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës vëllavrasëse ndërmjet myslimanëve
e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve. Edhe shenjtorja e Shëna
Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij.
U dallua për zell e përkushtim
fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave me shtatore të reja shenjtorësh e orendi
të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe.
Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi dashurinë e respektin e popullit, të cilit
i shërbente, e njëkohësisht urrejtjen e armiqve të Kishës e të Kombit. Në jetëshkrimin
e tij të shkurtër, botuar tek “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare – 1944-1990”,
shkruhet se u vra nga serbët në Pejë më 15 shkurt 1943, pasi u demaskua. Në të vërtetë,
sipas dokumenteve të Urdhrit të Fretërve të Vegjël, Atë Lorenci u vra në rrugën ndërmjet
Gjakovës e Pejës.