2010-03-05 16:04:49

Atë Kantalamesa në predikimin e parë të Krezhmëve: krishterimi është dashuri e jo detyrim.


(05.03.2010 RV)Sot paradite, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në Vatikan, Atë Raniero Kantalamesa mbajti predikimin e parë i Krezhmëve, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Predikatari i Shtëpisë Papnore e përqendroi meditimin mbi dallimin ndërmjet Ligjit të shkruar e Shpirtit Shenjt si dhe mbi rolin e meshtarit, si njeri që dhuron misteret e Hyjit.
Rregulltari kapuçin u nis nga dallimi themelor ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër, të bazuar mbi letër, apo ligjit të Moisiut, shkruar mbi rrasa guri, e Besëlidhjes së Re të Shpirtit Shenjt, ligj i shpirtit, i shkruar mbi zemra. U bazua kryesisht, tek Letra II e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve, në të cilën, duke i këshilluar të krishterët, Apostulli i Popujve, ndërmjet tjerash, nënvizon: “… ju e tregoni se jeni letra e shkruar prej Krishit.. e shkruar jo me bojë, por me Shpirtin e Hyjit të Gjallë, jo në rrasa guri, por në rrasa mishi të zemrës”. (2 Kor 3,3).
Pikërisht kjo e dallon krishterimin nga të gjitha fetë e tjera: Ligji i ri është jetë e re, është hir, që vjen nga vdekja e ngjallja e Krishtit:
“Çdo religjon njerëzor ose filozofi religjoze nis duke i treguar njeriut ç’duhet të bëjë për të shpëtuar... krishterimi nuk fillon duke i thënë njeriut atë që duhet të bëjë, por atë që bëri Zoti për të. Jezusi nuk filloi të predikonte duke thënë: “Pendohuni e besoni në Ungjill, në se dëshironi që Mbretëria e qiejve të vijë mes jush”; filloi duke thënë: “Mbretëria e Hyjit erdhi mes jush; e morët falas, edhe pse nuk e meritonit. ‘Pendohuni, prandaj, e besojini Ungjillit’. Pra nuk kërkoi më parë pendesën e pastaj edhe shpëtimin, por nisi nga shëlbimi, nga dhurata, për të vijuar me pendesën, me detyrën”.
Kështu duhet kuptuar edhe urdhërimi për ta dashur Zotin e të afërmin. Para këtij urdhërimi, është plani i dhuratës së hirit. Ne duam, sepse Zoti na deshi i pari. Nga dhurata, buron detyra, jo anasjelltas. Në këtë kuptim do të ishte moralizëm i pastër t’i jetosh urdhërimet më të larta të Ungjillit në mënyrë të vjetër, pa hirin. Ligji i Shpirtit Shenjt – pohoi në vijim Atë Kantalamesa – në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk është ai, që shpalli Jezusi mbi malin e lumturive, por ai që skaliti ndër zemra për Rrëshajë:
“Apostujt janë provë e gjallë për këtë. Ata i patën dëgjuar nga goja e vetë Krishtit të gjitha urdhërimet ungjillore, për shembull ‘kush dëshiron të jetë i pari, duhet të bëhet i fundit e shërbëtor i të gjithëve”, por megjithatë vërejmë se ata përpiqen deri në fund të vendosin kush është më i madh ndërmjet tyre. Vetëm pas zbritjes së Shpirtit Shenjt përmbi ta, shikojmë se e harrojnë plotësisht vetveten e dëshirojnë një gjë të vetme: të shpallin veprat e mëdha të Hyjit”.
Ligji i ri i Shpirtit Shenjt vepron përmes dashurisë: dashurisë me të cilën Zoti na do ne, duke na frymëzuar, në të njëjtën kohë, ta duam Atë e të afërmin. Është një aftësi e re për të dashur:
Dashuria është ligj, ligj i Shpirtit Shenjt, në kuptimin se krijon në zemrën e të krishterit një energji, që e shtyn të bëjë gjithçka do Zoti. Vepron nën shtytjen e një fuqie tërheqëse, jo të detyrimit. Dashuron, nuk detyrohet! Kjo është fitorja e madhe, që duhet ta ketë gjithnjë parasysh populli i krishterë. Krishtërimi është bërë që të jetohet sepse të tërheq, sepse dashurohesh me të, e jo sepse të detyrojnë”.
Prandaj meshtari – vijoi Atë Kantalamesa - e ka për detyrë t’i ndihmojë vëllezërit ta jetojnë risinë e hirit, t’i ndihmojë ta kuptojnë se krishterimi nuk është doktrinë, por Vetje, të mos predikojë vetveten, por bukurinë e pashterrshme të Krishtit, mrekullitë e Shpirtit Shenjt, që nuk të imponohen, por të tërheqin. Gjithsesi, vështirësia, sidomos për njeriun e sotëm - nënvizoi – është pikërisht kjo: të besojë se shëlbimi i tij nuk varet vetëm nga vetvetja:
“Të shëlbohesh përmes hirit, do të thotë të pranosh se varesh nga dikush, e kjo duket se është gjëja më e vështirë. Është shpjegimi që jep Shën Bernardi për mëkatin e Shejtanit: atij i pëlqeu më shumë të ishte krijesa më e mjerë, për hir të vetvetes, sesa më e lumtura, për hir të tjetër kujt. I pëlqeu më shumë të ishte i palumtur, por sovran, i pavarur, shumë më tepër sesa i lumtur, por i varur… Kundërshtimi i krishtërimit, që vërehet sot në disa nivele të kulturës perëndimore, kur nuk është mospranim i Kishës e i të krishterëve, është refuzim i hirit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.