2010-03-04 18:24:33

Çelësi i fjalëve të Kishës: misioni


(04.03.2010 RV)Të dashur dëgjues, kësaj jave, Kisha Katolike kujton me një sërë aktivitetesh jetën dhe veprën e atë Mateo Riçit, jezuit italian, ungjillëzues i Kinës së epokës Ming. Sivjet kremtohet 400-vjetori i vdekjes së tij. Figura e atë Mateo Riçit lidhet pazgjidhshmërisht me misionarët e me misionin e Kishës për të përhapur kudo në botë Lajmin e Mirë të Ungjillit të Krishtit. Pikërisht mbi fjalën “mision” do të përqëndrohemi sot.

Misioni është fjalë që vjen nga latinishtja “mittere”: të dërgosh. Ai është detyrë, që Jezusi ua besoi dishepujve të vet dhe mbarë Kishës: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (Mt 28,19)
Ky mision bazohet në dërgimin e Birit mes nesh si ndërmjetësues i përsosur mes Zotit dhe njerëzve. Jezusi është ai, në të cilin Hyji zbulon krejt dashurinë e vet. Këtu fillon çdo mision, në komunikimin e Zotit para njerëzve. Misioni pra, identifikohet me dërgimin e Birit, domethënë me një ngjarje që ka si qëllim “lavdinë” e Zotit dhe shpëtimin e njerëzve. Jezusi është kështu, misionari i parë dhe më i madhi, që e plotëson misionin me jetën dhe me vdekjen e tij. Misioni i Pashkëve të Jezu Krishtit plotësohet me dhuratën e Shpirtit Shenjt: me Rrëshajët fillon misioni i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, që e shpall Jezusin si shëlbuesin e të gjithëve.
Kisha është fryt i këtij dinamizmi: ajo është për natyrën e vet misionare, pra, si dritë e botës e kripë e tokës, ajo është mjeti i shëlbimit për të gjithë. Për këtë arsye, Etërit kanë folur për Kishën si për bashkësinë e të drejtëve, që nga Abeli e deri tek i drejti i fundit. Më tej, Kisha është bashkësia që flet gjuhët e të gjithë njerëzve e në të cilën, secili ndjehet në shtëpinë e vet.
Pohimi tradicional, që thotë se “jashtë Kishës nuk ka shpëtim”, duhet kuptuar jo si kufizim i shëlbimit brenda hapësirës së Kishës, por si impenjim i Kishës për të shkuar drejt horizontit universal të dashurisë së Zotit, pra për të qenë misionare.
Misioni në mesin e njerëzve është një përmasë thelbësore e krishterimit, që në fillimet e tij, sidomos me Shën Palin Apostull, i cili i kapërcen kufijtë e judaizmit, duke predikuar shëlbimin e Krishtit për të gjithë popujt.
Në kohët e lashta dhe në Mesjetë, më tepër se sa “mision”, përdoreshin shprehje si “apostolatus”(apostullati) ose “propagatio fidei”(përhapja e fesë). Që në shekullin II, pavarësisht nga persekutimet, Lajmi i Mirë i krishterë ishte përhapur në shumë vende, në formë pak a shumë të organizuar, që nga Persia në Skoci. Në epokën e Mesjetës së vonë u bënë të njohura misionet e mëdha drejt popujve gjermanikë dhe ato të shën Çirilit e të shën Metodit në Lindjen sllave. Hov të ri mori veprimtaria misionare sidomos me Urdhërat e reja të Lypësve në shekullin XIII: françeskanët dhe domenikanët arritën deri në Lindjen e Largët, duke themeluar aty Kisha të krishtera.
Sfidat që përballon misioni i krishterë janë të shumta, por më kryesoret janë pa dyshim inkulturimi, ose takimi i mesazhit të krishterë me kulturën e vendit ku përhapet; pastaj, dialogu ndërfetar me fetë e tjera; sfida e fitores mbi varfërinë, pasi janë misionarët të parët që u qëndrojnë më afër nevojtarëve dhe ndihmojnë në zhvillimin e tyre; e më tej akoma sfida e sekteve, përballimi i shndërrimit të Evropës së krishterë në një shoqëri shumëetnike e me shumë fe etj..
Shqipëria ka qenë gjithnjë tokë misionesh. Misionarët e ardhur në vend, pasi kanë mësuar gjuhën e traditat e tij, kanë dhënë shpesh një kontribut të shquar në zhvillimin e kulturës shqiptare. Të kujtojmë në veçanti, misionin fluturues të jezuitëve, që kishte për qëllim shpalljen e Fjalës së Zotit edhe në skajin më të largët të Shqipërisë e që dha një ndihmë të paçmuar në pajtimin e gjaqeve. Të kujtojmë poetë si atë Leonardo De Martino, albanologë si atë Fulvio Kordinjano, jezuitë si atë Jak Gardini, që vuajti bashkë me shqiptarët komunizmin, e shumë të tjerë. Misioni e mban Kishën të re.







All the contents on this site are copyrighted ©.