2010-03-04 18:18:44

Ungjilli i Lazrit të varfër dhe i Pasanikut në mësimet e Papës mbi shpërndarjen e drejtë të pasurisë


(04.03.2010 RV)Ungjilli i liturgjisë së sotme paraqet shembëlltyrën e famshme të Lazrit të varfër e Pasanikut, simbole të varfërisë që kërkon ndihmë e të egoizmit, që ka sy veç për vete. Tema e drejtësisë dhe e shpërndarjes së barabartë të pasurisë është përmendur disa herë nga Papa Benedikti XVI në shumë fjalime, e kjo pjesë e Ungjillit është përdorur nga Ati i Shenjtë edhe në enciklikën “Deus caritas est”, si shembull për të treguar se vetëm dashuria është rruga e shëlbimit të njeriut.
Njeri i leckosur e i palarë, Lazri, që nuk e ka më forcën e dinjitetit, por vetëm atë të urisë, i mbledhur si qen poshtë tryezës së një të pasuri, në pritje që t’i hedhin ndonjë kockë nga ushqimet e bollshme që përfundojnë në barqet sipër tij. E nga ana tjetër, Epuloni, i pasuri që ngop vetëm vetveten e që kur pas vdekjes, dënohet për mungesën e solidaritetit me të varfërin, pendohet, por është tepër vonë. “I pasuri – pohon Papa në një nga Lutjet e Engjëllit të Tënzot – personifikon përdorimin e pabarabartë të pasurisë nga ana e atyre, që e duan për luksin e shfrenuar dhe egoist, që mendojnë vetëm për vete, pa u kujdesur aspak për lypsin te porta e shtëpisë”. Në të kundërt, i varfëri është personi për të cilin vetëm Zoti kujdeset:
“Atë që është i harruar nga të gjithë, nuk e harron Zoti; ai që nuk vlen asgjë para syve të njerëzve, është i çmuar para syve të Zotit. Shembëlltyra na tregon se si pabarazia tokësore kthehet në të kundërt nga drejtësia hyjnore: pas vdekjes, Lazri hyn në “kraharorin e Abrahamit”, pra në lumninë e amshuar, ndërsa i pasuri përfundon në ferr, mes mundimeve” (30 shtator 2007).
Në historinë e njerëzimit, Lazri i varfër dhe Epuloni i pasur nuk kanë rreshtur, i pari të shtrijë dorën e tjetri, shpesh, ta injorojë atë. Sot, miliona si Lazri janë ata që mbijetojnë në gjendjen e refugjatit, që lypin thërrime respekti si emigrantë, janë ata që çojnë në shtëpi një pagë të padenjë e që u duhet të marrin vazhdimisht asistencë shoqërore. Përballë tyre, Epulonët e sotëm janë sistemet financiare, për të cilat solidariteti është një zë bilanci në kolonën e “humbjeve”, ose janë qeveri të paafta për politika shoqërore që sjellin rezultate në ato fusha, të cilat shpesh mbeten vetëm objektiva. “Uria – tha pa doreza Papa në FAO, para tri muajsh e gjysëm – është shenja më e pamëshirshme dhe më konkrete e varfërisë. Nuk është e mundur të pranojmë lukse e shpërdorime, kur drama e urisë merr përmasa gjithnjë e më të mëdha”:
“Nëse synojmë zhdukjen e urisë, veprimtaria ndërkombëtare jo vetëm duhet të favorizojë zhvillimin e ekuilibruar e të qëndrueshëm ekonomik si dhe stabilitetin politik, por duhet të kërkojë edhe parametra të reja – domosdoshmërisht etike e pastaj juridike dhe ekonomike – në gjendje të frymëzojnë bashkëpunimin për të krijuar marrëdhënie të barabarta ndërmjet vendeve që kanë nivel të ndryshëm zhvillimi” (16 nëntor 2009).
Logjika e fitimit dhe ajo e shpërndarjes së drejtë të të mirave materiale, sqaron Benedikti XVI, nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, nëse marrëdhëniet ndërmjet tyre vihen mbi baza të drejta:
“Fitimi është natyrisht i ligjshëm dhe, në masën e duhur, i nevojshëm për zhvillimin ekonomik. Gjon Pali II shkruante kështu në Enciklikën “Centesimus annus”: ‘Ekonomia moderne ka aspekte pozitive, baza e të cilave është liria e njeriut, që shprehet në fushën ekonomike, ashtu si në fushat e tjera’. Megjithatë, shtonte ai, kapitalizmi nuk duhet konsideruar si modeli i vetëm i vlefshëm i organizimit ekonomik” (23 shtator 2007)
Kjo, sepse logjika e kapitalizmit, edhe në rastin më të mirë, është gjithsesi bijë e asaj “drejtësie të thjeshtë të shpërndarjes së të mirave materiale”, që – shpjegon Papa në mesazhin për Krezhmët – kufizohet vetëm me zhdukjen e arsyeve të jashtme të mjerimit, pa i ngritur sytë drejt horizonteve më të gjera të drejtësisë së Zotit. Është tundimi i vetëmjaftueshmërisë, i lashtë sa njeriu:
“Këtë pikë helmi e quajmë mëkat të rrjedhshëm… Del në pah në ne përmasa dramatike e të qënit autonom; na duket se bën pjesë në të qenit njeri i vërtetë, liria për të thënë “jo””.
Gabim ky, vazhdon Papa në Mesazhin për Krezhmët, që mund të shmanget, nëse njeriu kupton se “si e më shumë se buka” ka nevojë për Zotin. Vetëm ky konfrontim me të Mirën më të lartë i jep kuptim së mirës që bën njeriu, drejtësisë, që na shtyn të dhurojmë dashuri:
“Njeriu që i kthen sytë nga Zoti nuk bëhet më i vogël, por më i madh, pasi falë Zotit e bashkë me Të bëhet i madh, bëhet hyjnor, bëhet vërtet vetvetja. Njeriu që e lë veten në duart e Zotit nuk largohet nga të tjerët, duke u tërhequr në këndin vetjak të shpëtimit; në të kundërtën, vetëm atëherë zemra e tij hapet vërtet e ai bëhet më i ndjeshëm e më i mirë” (8 dhjetor 2005).







All the contents on this site are copyrighted ©.