2010-03-04 18:25:45

Iraku drejt zgjedhjeve parlamentare.


(04.03.2010 RV)Më 7 mars në Irak do të mbahen votimet për zgjedhjet politike në vend, por një pjesë e irakianëve, - ushtarakët, punonjësit e shëndetësisë dhe të sëmurët - votuan sot. Nga këto votime ku janë paraqitur 6.200 kandidatë, do të dalin 325 deputetë që do të përfaqësojnë popullin në parlamentin e ri. Por situata në vend nuk është aspak e qetë. Sot pesë vetë u vranë në një atentat me bombë afër një qendër votimi në Bagdad, ndërsa dje tri kamikaze shkaktuan më se 30 të vdekur në Bakubë. Po a mund të interpretohen këto votime si shenjë e demokracisë në vend? Në mikrofonin tonë flet docenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit të Milanos, Alessandro Kolombo:RealAudioMP3

Përgjigje: Zgjedhjet nuk mjaftojnë në asnjë mënyrë për të folur për demokraci. Por, kuptohet, janë një hap i domosdoshëm drejt demokracisë. Këto votime zhvillohen në një kohë kur vetë shteti irakian ka nevojë për stabilitet dhe për riorganizim.

Pyetje: Një nga simbolet e demokracisë është edhe siguria. Por atentatet vazhdojnë. Ç’sinjal është ky?

Përgjigje: Atentatet vazhdojnë, por mbi të gjitha vazhdon tensioni ndërmjet etnive të ndryshme në vend. Këto atentate shërbejnë për ta mbajtur gjallë mundësinë e konfliktit, me fjalë të tjera të shpërbërjes së vendit, e cila nuk është vetëm shpërbërje e shtetit por edhe shkatërrim i çdo mundësie për demokraci në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.