2010-03-03 15:32:03

Strasburgu pranon apelimin e Italisë për rivendosjen e kryqit në shkolla


(03.03.2010 RV)Pati jehonë të madhe vendimi i Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut në Strasburg, e cila pranoi apelimin e Italisë kundër vendimit të 3 nëntorit të kaluar për heqjen e kryqit nga klasat e shkollave. Çështja do të shqyrtohet nga Dhoma e Madhe gjatë muajve të ardhshëm. Të dëgjojmë për këtë argument, vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, imzot Aldo Xhordano:RealAudioMP3
Është pa dyshim lajm i mirë, pasi u përgjigjet aspiratave të miliona qytetarëve të Evropës dhe të kontinenteve të tjera, siç tregoi debati i gjerë mbi vendimin. Është e qartë se Gjykata e konsideron të bazuar apelimin e Italisë dhe ka gjetur elemente serioze për interpretimin e dispozitave të Konventës së të drejtave të Evropës. Tani shpresojmë që vendimi i ri të ketë parasysh parimin e susidiaritetit e t’u lerë liri veprimi shteteve anëtare në këtë fushë. Është e rëndësishme të merret një vendim, që respekton traditat e Italisë. Kjo do të zgjonte një vëmendje të re në shumë vende, do të ngjallte respekt për Gjykatën, për Këshillin e Evropës dhe për institucionet e tjera evropiane. Unë shpresoj edhe që debati i hapur mbi këtë argument, t’i shtyjë njerëzit të rizbulojnë përmbajtjen e simbolit të Kryqit, pasi më duket se në këtë çast historik, njerëzimi ka nevojë urgjente për këtë. Një simbol që është unik në botë, që flet për pajtimin ndërmjet popujve, për respektin e ndërsjelltë; një simbol që thotë se ligji i dashurisë është ai që duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e se dashuria arrin deri në dhurimin e jetës. Gjatë udhëtimeve të mia në Evropë e në botë kam parë shumë lot e dhimbje dhe mendoj se ky simbol është i vetmi që u ofron shpresë të gjithë njerëzve të plagosur nga jeta, të cilët pësojnë nën forcën dhe pushtetin e së keqes. Kam shpresë se ky simbol do të rizbulohet për t’i hapur një rrugë të re njerëzimit.
Por si mund të ndodhë që ekziston ndokush, i cili ka frikë nga kryqi, si zonja me origjinë finlandeze që ngriti çështjen në Itali?
Mendoj se kjo ndodh ngaqë nuk dihet se ç’do të thotë Kryq. Jemi në një moment, në të cilin duhet ta dëshmojmë sërish krishterimin. Fatkeqësisht, në Evropë mungon debati e reflektimi i vërtetë mbi përmbajtjen e krishterimit. Nganjëherë njerëzit u referohen institucioneve apo fakteve historike, gjatë të cilave Kryqi është interpretuar gabim edhe nga vetë të krishterët. Por nëse do të rizbulonin faqet e shumta të historisë, që të krishterët kanë shkruar në emër të Kryqit e do të shihnin sa gjëra të mira janë përhapur përmes Kryqit, mendoj se këto paragjykime do të binin.
Cili është roli i të krishterëve në Evropë?
Në Evropë kemi kaq shumë pyetje, kaq shumë aspirata, kaq shumë probleme, saqë duhet të krijojmë një hapësirë, ku të gjejnë vend të gjithë ata që mund të japin ujin e gjallë, që mund të dëshmojnë dritën. Ne të krishterët kemi përgjegjësi për praninë tonë në këtë hapësirë publike. Evropa akoma kërkon kuptimin e jetës, dashurinë, të vërtetën, e në fund të fundit, Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.