2010-03-03 16:47:42

Baritoria e ciganëve të Evropës diskutohet në Vatikan


(03.03.2010 RV)Siç u kujtua nga Papa në audiencën e përgjithshme, në Vatikan vazhdon Takimi i drejtorëve kombëtarë të Baritorisë për Ciganët në Evropë. Në mbledhjen, që do të përfundojë nesër, foli edhe kryeipeshkvi i Viçencës në Itali, imzot Çesare Nozilja. Në mikrofonin tonë, imzot Nozilja përcakton përparësitë që favorizojnë integrimin e bashkësive cigane, duke respektuar identitetin e tyre:RealAudioMP3
Para së gjithash, duhet të edukohen bashkësitë e krishtera – duke filluar nga famullitë, nga meshtarët, nga këshillat baritore – t’i pranojnë ciganët, t’i njohin, t’i takojnë, të shohin cilat janë kërkesat e tyre, problemet, t’i ndihmojnë për të çuar fëmijët në shkollë, të tregojnë kujdes për gratë shtatzëna…pra, gjëra konkrete. Duhet që ky të jetë për Kishën impenjim bazë, të hyjë në punën baritore të zakonshme. Çdo i varfër pranohet, por kur vjen puna për ciganët krijohet alarm, thuhet se vjedhin, janë të dhunshëm, nuk punojnë… Këto janë stereotipe, që nuk duhet të ekzistojnë. Pra, detyra e Kishës është të edukojë.
Përveç edukimit të bashkësisë së krishterë, ç’mund të bëjë tjetër Kisha?
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është nxitja e dialogut me institucionet civile, që t’u japin mundësi ciganëve të qëndrojnë në vende të caktuara e të fillojnë procesin e integrimit shoqëror. Temat kryesore janë shkolla, puna e shtëpia, por impenjimi është gjithnjë i vështirë. Në përgjithësi, edhe kur u jepet leja për të qëndruar, ajo është sa më e shkurtër të jetë e mundur. Kisha duhet të përpiqet të krijojë një lloj tryeze, ku komunat e ndryshme të konfrontohen dhe të gjejnë rrugët e bashkëpunimit për të përballuar këto probleme.
Edhe bashkësia e ciganëve duhet të bëjë diçka për të favorizuar dialogun, apo jo?
Nga ana e ciganëve duhet të kemi pranimin e rregullave të vendit ku ndodhen. Duke folur me ta, vërejmë se janë të gatshëm të fillojnë një proces integrimi, sidomos përsa i përket punës dhe shkollës së fëmijëve… Por, ata kanë një natyrë dhe një mentalitet, që kërkon kohë për t’iu përshtatur një stili të caktuar jetese. Duhet ta bëjmë rrugën sëbashku: secili duhet të luajë rolin e vet.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.