Sot më 2 mars kalendari Kishtar përkujton Shën Kuintin, martir
(02.3.2010 RV)Shën Kuinti konsiderohet martir për shkak të mundimeve që pësoi
ndonëse, ashtu si Shën Gjoni Ungjilltar, vdiq në paqe në moshë të shtyrë.
I
lindur në Frigji në një familje të krishterë, shkoi që i vogël në Eolide, ku iu kushtua
ndihmës të të varfërve. Guvernatori Rufo, në kohën e perandorit Aureliani (270-275),
deshi ta detyronte Kuintin të flijonte për nder të idhujve, sipas urdhrave perandorake,
por pastaj e la të lirë, sepse u çlirua nga tundimet djallëzore për ta torturuar,
falë lutjeve të vetë Kuintit.
Sinaksaret greke tregojnë se kjo ndodhi në qytetin
Cime, ku një tërmet i fuqishëm rrëzoi shtatoret dhe tempullin e idhujve, duke tmerruar
idhujtarët, të cilët ikën me vrap për të shpëtuar jetën. Dyzet ditë pas lirimit, Kuinti
u arrestua përsëri nga një gjykatës tjetër, Klearku, shumë më i egër se Rufi, i cili
nisi ta torturonte mizorisht. U mbulua me plagë, por Zoti ia shëroi para syve të mrekulluar
të xhelatit. Për të gjitha këto ngjarje, meritoi titullin “Mrekullibërës”.
Atëherë
edhe Klearku e la të lirë. Mundi kështu të vijonte misionin e tij, duke ndihmuar të
varfërit e duke shëruar të sëmurët edhe për dhjetë vjet të tjera. Vdiq rreth vitit
280-85. Kuinto do të thotë i pesti, sepse ai ishte djali i pestë i familjes.