2010-03-02 15:39:04

Falenderimi i të krishterëve irakianë pas thirrjes së Benediktit XVI në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës


(02.03.2010 RV)RealAudioMP3 Në Irakun, që po përgatitet për zgjedhjet politike të së dielës së ardhshme, vazhdon të ketë jehonë thirrja e Papës Benedikti XVI në favor të të krishterëve të vendit, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot. Fjalët e Papës - “mos u lodhni së qeni tharm i së mirës për atdheun, të cilit i përkisni prej shekujsh” – ua mbushën zemrat të krishterëve irakianë, duke u dhënë guxim e hov të ri. Kështu pohon në mikrofonin tonë, prokuratori i Kishës së kaldejve pranë Selisë së Shenjtë, imzot Filip Naxhim:
Është një mesazh i Papës për të gjithë të krishterët e Irakut e mund ta ndajmë në dy pjesë. Në pjesën e parë, ai na bën thirrje të gjithë ne të krishterëve për të dhënë akoma dëshminë e fesë e për të mos u lodhur së qeni të krishterë, për të mbajtur kryqin që na takon e për ta jetuar Ungjillin. Pjesa e dytë i kujton secilit prej nesh se jemi qytetarë me të drejta të plota e se ky është atdheu ynë. Prandaj, përmes fesë, duhet të kontribuojmë në ndërtimin e këtij atdheu, sëbashku me vëllezërit tanë myslimanë. Që prej shekujsh, ne jetojmë në tolerancë e miqësi të plotë, jemi irakianë, duhet të përpiqemi të mbetemi në Irak, duhet t’i japim shtetit forcën tonë dhe të kontribuojmë në arritjen e sigurisë e në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
Të dielën, në shesh, kishte një parrullë, ku thuhej: “Nuk durojmë më!”. Pse ky dëshpërim? Për viktimat e Mosulit?
Me të vërtetë, populli është i lodhur nga këto diskriminime e persekutime: jemi njerëz! Tashmë, nuk shohim më rrugëdalje! Ne shpresojmë që paqja të mbretërojë një ditë, pasi vërtet është dhuratë e çmuar sot për sot, të jetojmë në paqe, të rilindim e të rindërtojmë Irakun e ri! Jemi të lodhur, sepse bashkësia ndërkombëtare na ka harruar e nuk ndërhyn për t’i dhënë fund këtij diskriminimi e persekutimi kundër pakicave të krishtera në të gjithë Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.