2010-03-01 16:02:49

Tri thirrje të Papës, në lutjen e Engjëllit të Tënzot: drejtuar të krishterëve të Irakut, kilianëve të dëmtuar nga tërmeti e besimtarëve katolikë, në Krezhmë.


(01.03.2010 RV)Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve, Papa bëri tri thirrje, tejet aktuale: e para, thirrja për sigurinë e të krishterëve të Irakut, pas atentateve të panumërta të këtyre ditëve. Së dyti, duke kujtuar kilianët e dëmtuar rëndë nga tërmeti, Benedikti XVI bëri thirrje për solidaritet ndërkombëtar. E, së treti, duke u ndaluar posaçërisht tek Ungjilli i së Dielës II të Krezhmëve, që flet për Shndërrimin e Jezusit, i ftoi të gjithë besimtarët t’i meditojnë pareshtur mësimet e Ungjillit, posaçërisht në këtë kohë krezhmore.
Benedikti XVI shprehu dhimbjen për ngjarjet e trishtuara të këtyre ditëve në qytetin e Mosulit, ku humbën jetën disa të krishterë irakianë; por njëkohësisht, edhe shqetësimin e tij të thellë për vijimin e dhunës në trojet e martirizuara të Irakut, e cila peshon tragjikisht mbi jetën e njerëzve të pambrojtur, me përkatësi të ndryshme fetare. Këto lajme Papa vijoi t’i ndjekë, me shqetësim në rritje, edhe gjatë javës së Ushtrimeve Shpirtërore, që përfundoi të shtunën e kaluar në Vatikan:
Në këto ditë, të kaluara vazhdimisht në uratë, u luta shpesh për të gjitha viktimat e këtyre atentateve e sot dëshiroj të bashkohem shpirtërisht në lutjen për rikthimin e paqes e të sigurisë, organizuar nga Këshilli i Ipeshkvijve të Ninives. Jam, me gjithë shpirt, pranë bashkësive të krishtera në mbarë vendin. Mos t’ju lëshojë zemra në përpjekjen për të qenë tharm i së mirës për atdheun, të cilit i përkisni plotësisht prej shekujsh”.
Në këtë fazë të brishtë politike, që po kalon Iraku, Papa u drejtohet autoriteteve civile, duke u bërë thirrje të mos i kursejnë përpjekjet për t’ia rikthyer popullsisë e, në mënyrë të posaçme, pakicave fetare më të ligështa, sigurinë, për të cilën kanë aq shumë nevojë:
“Uroj që të mos i nënshtrohen tundimit për të vënë interesat e përkohshme e të pjesshme mbi sigurinë dhe të drejtat themelore të çdo nënshtetasi. Në përfundim, ndërsa përshëndes irakianët e pranishëm këtu, në Sheshin e Shën Pjetrit, i bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përpiqet për t’u dhënë irakianëve një ardhmëri me paqe e drejtësi, ndërsa i lutem plot besim Hyjit të gjithëpushtetshëm për dhuratën e çmuar të paqes”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi popullsitë e Kilit, të dëmtuara rëndë nga tërmeti, që tronditi vendin natën ndërmjet së premtes e së shtunës, duke shkaktuar humbje të rënda jetësh njerëzore e dëme të panumërta:
“Lutem për të vdekurit e jam shpirtërisht pranë njerëzve, që pësojnë pasojat e një fatkeqësie kaq të rëndë të natyrës; lus Zotin t’u japë ngushëllim në vuajtje e guxim në përballimin e kësaj gjëme. Jam i sigurtë se nuk do t’u mungojë solidariteti i gjithanshëm, posaçërisht ai i organizatave kishtare”.
Pastaj, gjatë katekizmit, Papa u ndalua kryesisht tek Ungjilli i së Dielës II të Krezhmëve, i cili flet për Shndërrimin e Krishtit, një ngjarje e jashtëzakonshme – shpjegoi – që na jep zemër ta ndjekim deri në fund Jezusin, duke mohuar vetveten e duke marrë çdo ditë mbi supe, kryqin tonë. Tre dishepujt, që ndjekin skenën, kanë rënë në dremitje të thellë – vijoi të shpjegojë Papa. - Është dremitja e atyre që, ndonëse janë të pranishëm në mrekullitë hyjnore, nuk arrijnë dot t’i kuptojnë. Vetëm duke luftuar kundër topitjes, që i ka pushtuar, Pjetri, Jaku e Gjoni arrijnë ta shikojnë lumninë e Jezusit. Por ngjarja e jashtzakonshme përfundon, e para syve të apostujve është Jezusi, vetëm: kjo është gjithçka u jepet dishepujve e Kishës të të gjitha kohëve – tha Benedikti XVI - e kjo duhet të mjaftojë në rrugën tonë. Është Ai, i vetmi zë, që duhet dëgjuar, derisa ta shndërrojë trupin tonë të mjerë, duke e bërë të ngjashëm me korpin e Tij të lumnuar. Benedikti XVI kujtoi edhe pyetjen e Pjetrit, që do të dëshironte të rrinte gjithnjë mbi Malin Tabor, sepse atje, thotë ai ‘është bukur’. Kjo shprehje i ngjet shpesh dëshirës sonë për të ndenjur me Zotin, që na mbush me ngushëllim:
“Por Shndërrimi na kujton se gëzimet e mbjella nga Hyji në jetë, nuk janë caqe; janë drita, që Ai na i dhuron në shtegtimin tokësor, me qëllim që ‘vetëm Jezusi’ të jetë Ligji ynë e Fjala e tij, kriter, që i prin gjithë jetës sonë”.
Në përfundim Papa i ftoi të gjithë besimtarët që, në periudhën e Krezhmëve, ta meditojnë vazhdimisht Ungjillin, posaçërisht në këtë Vit Meshtarak. E, duke iu drejtuar meshtarëve, uroi që:
“... në këtë Vit Meshtarak, Barinjtë të jenë plot me Fjalën e Zotit, ta njohin thellësisht, ta duan deri në atë pikë, sa ajo t’u japë vërtet jetë e t’ua formojë mendimin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.