2010-03-01 11:39:58

Thirrja e Apostujve e magjisteri i Papës Benedikti XVI


Një prej meditimeve të ushtrimeve shpirtërore në Vatikan për Kurien Romake, në praninë e Papës Benedikti XVI, iu kushtua thirrjes së Apostujve. Edhe në mesin e jo besimtarëve janë të shumtë ata që i njohin elementet e famshme skenografike, të cilat Ungjijt i përdorin si kornizë për të përshkruar ndezjen e shkëndijës së parë të Kishës së krishterë. Një valëzim i lehtë kodrinor, që laget nga Liqeni i Tiberiades, një grup peshkatarësh të lodhur nga puna e natës e të nervozuar pasi nuk kishin kapur asnjë peshk dhe, një i panjohur, nazarenas, që duket në breg e njëri nga protagonistët e skenës, Andrea ia paraqet të vëllait, Pjetrit me këto fjalë: “Kemi gjetur Mesinë!” Pastaj, peshkimi i mrekullueshëm, që mbush rrjetat, por sidomos zemrat e një grupi të zgjedhurish, fati i të cilëve, që nga ai moment, do të jetë i lidhur ngushtë me atë të Jezusit. Ja ç’thoshte Papa Benedikti XVI më 22 mars 2006:
“Aventura e Apostujve fillon kështu, si një takim njerëzish, që ia hapin zemrën njëri-tjetrit. Fillon për dishepujt njohja e drejtpërdrejtë e Mësuesit. Në fakt, atyre nuk u duhet të shpallin ide, por të jenë dëshmitarë të një personi. Para se të dërgohen për të ungjillëzuar, duhet të qëndrojnë me Jezusin e të krijojnë marrëdhënie personale me Të”.
E Papa ngul këmbë edhe më vonë, në magjisterin e tij, mbi këtë koncept. “Apostulli – vëren Ati i Shenjtë – është i dërguari, por edhe më parë akoma, eksperti i Jezusit”. E kjo ndodh, pavarësisht nga karakteri i tij jo i përsosur. Thirrja e apostujve të parë nuk ndryshon në thelb nga thirrja që Krishti i drejton edhe sot secilit prej nesh:
“Dymbëdhjetë Apostujt nuk ishin njerëz të përsosur, të zgjedhur pasi nuk mund të qortoheshin nga pikpamja morale dhe fetare. Ishin pa dyshim besimtarë, plot entuziazëm e zell, por kishin kufizime njerëzore, nganjëherë edhe të rënda. Pra, Jezusi nuk i thirri sepse ishin shenjt, por që të bëheshin shenjt. Ashtu si ne. Ashtu si gjithë të krishterët” (15 qershor 2008)
Në vitin 2006, duke folur për thirrjen e apostujve, Benedikti XVI sqaroi se ardhja e Jezu Krishtit ka qëllime komunitare, pra Biri i Hyjit nuk ka ardhur për secilin prej nesh veç e veç, por për secilin prej nesh, si anëtarë bashkësie:
“Misioni i tyre nuk është i izoluar, por bën pjesë në misterin e bashkimit, që përfshin krejt Popullin e Zotit dhe që realizohet me etapa, nga Besëlidhja e Vjetër tek e Reja… Prandaj, që nga momenti i parë i veprimtarisë së tij shëlbuese, Jezusi i Nazaretit synon mbledhjen e Popullit të Zotit” (15 mars 2006).
Dymbëdhjetë apostujt, shtoi Papa, në të njëjtin rast, janë shenja më e qartë e vullnetit të Jezusit përsa i përket ekzistencës dhe misionit të Kishës. Ata janë garancia se nuk ka kundërvënie ndërmjet Krishtit e Kishës:
“Prandaj, është krejtësisht e papajtueshme me synimin e Krishtit, parrulla që ishte në modë disa vite më parë: Krishti po, Kisha jo! Ky Jezus i zgjedhur në mënyrë individualiste është një Jezus fantazie. Nuk mund ta kuptojmë Jezusin pa realitetin që krijoi, në të cilin komunikon. E kjo prania e tij në bashkësinë, ku Ai vetë dhurohet për ne, është motiv i gëzimit tonë. Po, Krishti është me ne. Mbretëria e Zotit vjen” (15 mars 2006).RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.