2010-03-01 15:17:09

Shqipëria aderon në marrëveshjen e NATO-s për sigurinë e informacionit.


(01.3.2010 RV)Aderimi i Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet shteteve palë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, "Për sigurinë e informacionit", i arritur në Bruksel më 6 mars 1997, është një ndër detyrimet që buron nga statusi i vendit anëtar në NATO.
Kjo marrëveshje, e miratuar sot në komisionin parlamentar të Ligjeve, ka objekt mbrojtjen dhe garantimin e informacionit të klasifikuar që vjen nga NATO-ja ose që i jepet NATO-s nga një shtet anëtar. Ajo synon të krijojë standarte të sigurisë që garantojnë në një shkallë të përbashkët mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Shtetet palë në këtë marrëveshje angazhohen që informacionin e klasifikuar, të siguruar nga NATO, ta sigurojnë në kushte të tilla që shmangin ekspozimin dhe njohjen e tyre nga persona të paautorizuar, pasi një gjë e tillë do t'i shkaktonte dëme sigurisë së shteteve palë. Është përgjegjësi e shtetit dhe e institucioneve të tij, që informacionin e klasifikuar të NATO-s ta ruajë sipas standarteve të kërkuara nga legjislacioni ynë dhe aktet ligjore në fuqi, për informacionin e klasifikuar.
Aderimi në këtë marrëveshje përmbush një detyrim të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO dhe bën të mundur arritjen e objektivave në fushën e bashkëpunimit politik dhe ushtarak me këtë organizatë.
Ky dokument nuk e pengon Shqipërinë të lidhë marrëveshjen për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar me shtete apo organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe nuk ka efekte financiare.
Institucioni përgjegjës për zbatimin e saj është Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Këshillit të Ministrave, si dhe Autoriteti i Sigurimit Kombëtar. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.