2010-03-01 11:39:34

Shenjtorët e Javës së ardhshme


Sot e diel 28 shkurt, Kisha kremton të dielën e 2-të të kohës së Kreshmëve e po sot më 28 shkurt, kalendari përkujton Shën Osvaldin; Shën Hilarin, papë e Shën Romanin, abat. Liturgjia e ditës na kujton se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.
Nesër e hënë, 1 mars kalendari Kishtar do të përkujton Shën Feliçin, papë dhe shën Albinin, ipeshkëv i Anzhé. Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfrin që të lutet!”.
Të martën e ardhshme me 2 mars  përkujtohet Shën Angjela e Kryqit, virgjër.: “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”. Liturgjia e festës së saj na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.
Të mërkurën me 3 mars, sipas kalendarit liturgjik do të përkujtohet Shën Kunegonda, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.
Të enjten më 4 mars, kalendari Kishtar përkujton shën Kazimirin, pajtor i Lituanisë. Ky shenjtor na fton të meditojmë mbi rolin e fesë e të lutjes, si mjetet më të sigurta për të ngadhënjyer mbi Djallin dhe mbi pasojat e mbrapshta të tundimeve që vijnë prej tij.
Të premten më 5 mars, Kisha do të kremtojë Shën Luçion I Papë, Shën Adrianin martir dhe Shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Na kujtojnë se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.

Liturgjia e festës së Shën Rozës nga Viterbo, virgjër françeskane dhe Shën Koletës Boilč, themeluese e klariseve të varfra, të shtunën e ardhshme më 6 mars, na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
 
Të dielën që vjen më 7 mars, Kisha kremton të dielën e 3-të të kohës së Krezhmëve e po këtë ditë, kalendari kishtar përkujton shenjtoret Perpetua e Feliçita, martire. Jeta e tyre na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.