2010-03-01 16:03:31

Mëse 700 viktima nga tërmeti në Kili. Nunci në Santiago: ndihma urgjente për të dëmtuarit


(01.03.2010 RV)Mëse 700 vetë kanë humbur jetën në Kili për shkak të tërmetit që goditi vendin. Bilanci është i destinuar të rritet, e bashkë me të, rritet edhe zemërimi e dëshpërimi në Konsepsion, epiqendra e tërmetit, ku vazhdojnë vjedhjet e dhuna.
Tri ditë pas tërmetit tokësor dhe detar, ministri kilian i mbrojtjes pranoi se Marina ushtarake ka gabuar, duke mos dhënë alarmin për cunami pas tërmetit. Ushtarakëve u kalon tani përgjegjësia për të kontrolluar gjendjen e sigurisë në Konsepsion, ku është vendosur shtetrrethimi nga ora nëntë e darkës deri në orën gjashtë të mëngjesit.
Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare mobilizohet në frontin e ndihmave. Sot paradite, Bashkimi Evropian miratoi një fond prej 3 milion eurosh e nga shumë vende të tjera po vijnë ilaçe e spitale fushore. Për gjendjen në vend, të dëgjojmë Nuncin Apostolik, imzot Xhuzepe Pinto, me telefon nga Santiago:
Gjendja është e qetë në kryeqytet, ndërsa me zonat më të dëmtuara, pra me qytetin e Konsepsionit, Temukos dhe Kurikos nuk kemi lidhje. Në këtë fazë, ndihmat kanë për qëllim të ndihmojnë një milion vetë, mbetur pa shtëpi. Po afron edhe dimri. Natyrisht, Kisha përpiqet të plotësojë nevojat e para. Edhe ajo vetë ka pësuar dëme. Kishat, disa kapela të bukura të kuvendeve të murgeshave, që janë këtu që prej 150, 200 vjetësh, kanë pësuar dëme të mëdha. Këtu, në Bazilikën e Zojës së Provanisë Hyjnore, që është afër nunciaturës, është dëmtuar këmbanorja, por struktura shpëtoi, pasi kishte përreth një kafaz metalik.
Dje, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa tha se nuk do të mungojë solidariteti i të gjithëve…
Kjo ndërhyrje e Atit të Shenjtë u ka dhënë pa dyshim zemër shumë personave, pasi këtu feja është e fortë, sidomos në familjet që jetojnë në fshatra. Pastaj, fjalët e Papës u japin guxim njerëzve, duke filluar nga ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët që ndodhen në territor…







All the contents on this site are copyrighted ©.