2010-03-01 16:08:16

Kili: për kryeipeshkvin e Koncepsion-it, situata është tejet e rëndë, por njerëzit po punojnë me guxim e solidaritet.


(01.03.2010 RV)“Çdo çast nuk shohim tjetër, veç dhimbjen e pafundme të njerëzve të dëshpëruar. Por, pavarësisht nga ky shkatërrim i papërshkrueshëm, shikojmë edhe një forcë shpirtërore, që të mrekullon. Në mes të një tragjedie me përmasa të tilla, të gjithë janë gati të ndihmojnë tjetrin”. Kështu e përshkroi kryeipeshkvi i qytetit Konsepsion, imzot Rikardo Ezati, duke folur në radion’Koperativa’ të kryeqytetit, situatën në qytetin e tij, ku tërmeti i së shtunës goditi më rëndë se kudo tjetër. I pyetur për rastet e plaçkitjeve, Prelati dha një përgjigje të prerë: “Në një situatë të tillë dora duhet shtrirë vetëm për të ndihmuar, e jo për të plaçkitur! Plaçkitja në këtë gjëmë, është një tërmet tjetër, në gjirin e tërmetit, e duhen marrë masa të rrepta për t’i dhënë fund një zakoni të tillë të papranueshëm”.
“Por shumica e popullsisë nuk është kështu, vijon Imzot Ezati. Plotësisht e vetëdijshme për situatën tejet të rëndë, po bën çmos ta përballojë me dinjitet, ndërsa janë gjithnjë më të dukshme rezultatet e ndihmave”. Jam i sigurtë – është mendimi i imzot Ezatit – se në të ardhmen popullsia do të ketë nevojë jo vetëm për ndihma materiale, por edhe psikologjike, sepse tërmeti ka shkatërruar jo vetëm muret, por edhe shpresat, ëndrrat, dëshirat, ardhmërinë e shumëkujt.
Duke folur për situatën e dioqezës së tij, ipeshkvi i Konsepsion-it vërejti se situata është tejet e ndërlikuar e se shumë kisha nuk ekzistojnë më. I vështirë komunikimi me famullitë periferike e, sidomos, me ato bregdetare, mbi të cilat, pak pas tërmetit, vërshuan valët vigane të detit.







All the contents on this site are copyrighted ©.