2010-03-01 17:17:52

Ipeshkvijtë ugandezë takohen me Papën: Kisha impenjohet për paqen, të varfërit e të sëmurët nga Sida.


(01.03.2010 RV)Benedikti XVI priti sot në audiencë grupin e parë të barinjve të Konferencës Ipeshkvnore të Ugandës, në vizitë ‘ad Limina”. Kisha katolike është e pranishme në territorin e vendit afrikan me katër kryedioqeza metropolitane e 15 dioqeza. Katolikët përfaqësojnë 41,5% të 30 milionë banorëve. 36% e popullsisë është anglikane, ndërsa 12%, myslimane.
Pajtimi kombëtar, lufta kundër varfërisë, parandalimi i Sidës, janë tri sfidat e mëdha, që përballon ditë për ditë Kisha në Ugandë. Një impenjim, të cilin katolikët e çojnë përpara në bashkëpunim me besimtarët e bashkësive të tjera të krishtera. Nga viti 1963, në Ugandë vepron një Këshill i krishterë i përbashkët, në të cilin bëjnë pjesë katolikët, anglikanët e ortodoksët. Kisha, që punon vazhdimisht për paqen, ka dhënë një ndihmesë të madhe për paqësimin e Veriut të Ugandës, të tronditur thellë prej luftës civile, e cila vijon që nga viti 1986, pavarësisht nga nënshkrimi i marrëveshjeve për ndalimin e zjarrit ndërmjet qeverisë e luftëtarëve të ‘Ushtrisë së Zotit për rezistencë” .
Historikisht Kisha ugandeze drejton disa institute edukative e është në vijën e parë të frontit në luftën kundër varfërisë, kohët e fundit edhe përmes kurseve të formimit për zhvillimin e bujqësisë.
I madh është edhe impenjimi kundër Sidës, pandemi e vërtetë, që ka prekur më se një milion ugandezë. Në vitin 1995 Konferenca Ipeshkvnore ngriti ‘Aids Focal Point” (Eids Foukël Point) për ta ndihmuar popullatën e prekur nga virusi Hiv. Në këtë përpjekje janë arritur rezultate të dukshme. Në kundërshtim me vendet e tjera afrikane, që e kanë bazuar politikën e tyre të luftës kundër sëmundjes tek shpërndarja e prezervativëve, Uganda arriti ta pakësojë përqindjen e infektimit, kryesisht duke punuar për edukimin e breznive të reja me vlerat e besnikërisë e të ruajtjes së pastërtisë paramartesore. Muajt e fundit episkopati mbajti qëndrim edhe kundër një projektligji, që parashikon dënime tepër të rënda, deri në dënim me vdekje, për homoseksualët. “Sipas Kishës – deklaroi sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore, Atë Xhon Baptist Kauta – projektligji është në kundërshtim me mënyrën e krishterë të kapjes së problemit: dënimi me vdekje e burgosja për akte homoseksuale – vërejti - i shkatërron, në vend që t’i ndihmojë, njerëzit, të cilët kanë nevojë për kthesë, ndihmë, shpresë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.