2010-02-26 15:29:59

“Magnificat”- Himni me të cilin Maria madhëron Zotin, temë e ditës së gjashtë të Ushtrimeve Shpirtërore, predikuar para Papës e Kuries Romake.


(26.02.2010 RV)Dita e parafundit e Ushtrimeve Shpirtërore të Krezhmëve, në Vatikan. Sot Papa e bashkëpunëtorët e tij të Kuries, jetuan një ditë mariane. Temat e meditimit, paraqitur nga predikatari, dom Enriko Dal Kovolo, ishin “Magnificat i Marisë” dhe “Rrëfimi i Lajmërimit të Zotit’. Teologu salezian propozoi edhe një meditim tjetër, kushtuar Shërbëtorit të Nderuar të Hyjit, Gjon Palit II.
Benedikti XVI ka reflektuar disa herë për kuptimin e thellë të himnit ‘Magnificat’.

‘Magnificat’ – nënvizon Papa Razinger - na mëson se Hyji është gjithnjë përkrah të përvujtëve. Ashtu si dy mijë vjet më parë, edhe në ditët tona, botës i duket se krenarët, mendjemëdhenjtë, të pushtetshmit e të pasurit triumfojnë gjithnjë mbi të vegjëlit. Por - vëren Papa - plani i Zotit i përmbys bazat, mbi të cilat njerëzimi dëshiron ta ndërtojë ardhmërinë e vet:
I përvujti perceptohet si një njeri pa parime, si një qyqar i humbur, që nuk ka asgjë të re për t’i thënë botës. Ndërsa pikërisht tek përvujtëria duhet të shikojmë rrugën kryesore, e jo vetëm sepse përvujtëria është një nga virtytet më të larta njerëzore, por në radhë të parë, sepse kështu vepron vetë Zoti” (Mesha e Agorà-s në Loreto, më 2 shtator 2007).
Në fund të fundit – na siguron Papa – Hyji e shpalos haptas forcën e tij të fshehtë, për t’i treguar të gjithëve kush janë të zgjedhurit e Tij:
“Ata që i druhen, besnikët e fjalës së Tij, të përvujtët, të uriturit, Izraeli, shërbëtori i tij, dmth bashkësia e popullit të Hyjit që, ashtu si Maria, përbëhet nga ata që janë të ‘varfër’, të pastërt, zemërthjeshtë” (Audienca e përgjithshme, 15 shkurt 2006).
Maria i këndon përvujtërisë së vet, për të nxjerrë në pah madhështinë e Zotit. Fjalët e së kushërirës, Elizabetës: “Bekuar qofsh mbi të gjitha gratë e bekuar fryti i kraharorit tënd”, bëjnë t’i shpërthejë nga thellësia e shpirtit, një këngë lavdërimi drejtuar Zotit, që e pa pervujtërinë e shërbëtores së vet:
“Shpirti im madhëron Zotin’. Maria e njeh madhështinë e Zotit. E kjo është ndjenja e parë, e domosdoshme, e fesë: ndjenjë, që i jep siguri krijesës njerëzore, duke e çliruar nga çdo frikë, ndonëse i duhet të përballojë shtërngatat e historisë” (Kremtim në përfundim të muajit marian, 31 maj 2008).Kënga e lavdërimit, Magnificat – reflekton Papa – është një lexim i vërtetë e i thellë teologjik i historisë. Një lexim – ripohon Ati i Shenjtë – që ne duhet ta mësojmë vazhdimisht nga Maria, feja e së cilës s’ka hije as plasaritje. Maria, me përvujtërinë e saj, na flet qartë për lidhjen e pazgjidhshme të Krijuesit me krijesën e tij. Prandaj:
“Atje ku zhduket Zoti, njeriu nuk bëhet më i madh; përkundrazi, humbet dinjitetin hyjnor, humbet shkëlqimin e Hyjit mbi fytyrën e vet. (…) Vetëm në se Zoti është i madh, i madh është edhe njeriu. Me Marinë, duhet të kuptojmë se kështu është me të vërtetë. Nuk duhet të largohemi nga Zoti, por ta bëjmë atë sa më të pranishëm mes nesh”(Mesha e ‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, 15 gusht 2005).

 
Në këtë ditë të gjashtë të Ushtrimeve Shpirtërore të Krezhmëve, përqendruar tek përshpirtëria mariane, u kujtua edhe Gjon Palit II, Papa, i cili iu kushtua i tëri Marisë me moton: ‘Totus tuus”. Virgjëra–Nënë – shkruan Gjon Pali II në “Redemptoris Mater” – është përherë e pranishme në rrugën e fesë së popullit të Zotit drejt dritës. E këtë e dëshmon në mënyrë të veçantë – vijon Papa Vojtila – kënga ‘Magnificat’, buruar nga thellësia e fesë së Marisë, nësa vizitonte Elizabetën, himn, që vijon të kumbojë ndër shekuj në zemër të Kishës”.
Në këtë Vit Meshtarak, bëhet edhe më aktual kujtimi i Virgjërës në ‘Pastores Dabo Vobis”. Çdo aspekt i formimit meshtarak – lexojmë në Nxitjen pas-Sinodale - mund të lidhet me Marinë, sepse ajo iu përgjigj thirrjes së Zotit më mirë se çdo krijesë tjetër njerëzore. Maria – na kujton Karol Vojtila – u bë shërbëtore e dishepulle e Fjalës së Hyjit deri në atë pikë, sa të zinte në zemrën e në trupin e saj, Fjalën e mishëruar, për t’ia dhuruar njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.