2010-02-26 15:31:18

Imzot Miliore: fuqitë bërthamore të marrin guximin për t’u çarmatosur


(26.02.2010 RV)Ka kohë deri më 3 maj për të rishikuar Traktatin për Mospërhapjen e armëve bërthamore, në Takimin që do të mbahet në selinë njujorkeze të OKB-së, ku sekretari i përgjithshëm Ban Ki-Mun do të diskutojë me të mëdhenjtë e botës për këtë temë të rëndësishme. Por, javës që kaloi, Komiteti për çarmatimin, organ konsultiv i Kombeve të Bashkuara, përcaktoi rekomandimet për të. E rëndësishme është që të ekzistojë vullneti për të kapërcyer problemet e divergjencat, në mënyrë që mbledhja e majit të mos dështojë si Konferenca e fundit në vitin 2005. I morëm një mendim Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në Nju Jork, imzot Çelestino Miliore:
Pas shumë vitesh amullie, gjatë të cilave çështja e çarmatimit bërthamor nuk ka bërë asnjë hap përpara, kemi arsye për të shpresuar. Natyrisht, problemi nuk është vetëm mospërhapja, por edhe çarmatimi bërthamor, pasi armët bërthamore nuk mund të konsiderohen mbrojtëse. Janë vetëm shkatërruese. Në këtë proces bisedimesh, ekziston një nen, që flet për impenjimin e shteteve, t’i quajmë “bërthamore”, pra të pesë shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të cilët ia kanë dhënë vetë të drejtën vetes për të zotëruar armë bërthamore. Në këtë nen, ata janë impenjuar edhe të fillojnë bisedime serioze për të shkuar drejt çarmatimit. Nëse nuk vihet në zbatim ky impenjim, të gjitha fjalët e tjera mbi mospërhapjen, mbi shtetet e reja që bëhen bërthamore me kontrabandë, nuk vlejnë aspak. Nëse duan të jenë të besueshme, pesë shtetet bërthamore duhet të thonë: “Ne kemi premtuar t’i fillojmë këto bisedime me vullnet të mirë. Le t’i fillojmë pra”. Mbi këtë bazë qëndron edhe autoriteti moral për të thënë: “Jo, ti nuk duhet ta kesh bombën atomike” apo për të vënë sanksione. Përndryshe, askush nuk e ka autoritetin moral.
Edhe emergjenca e krizës ekonomike, vështirësitë që bien mbi vendet e varfëra, janë tema që duhej të diskutoheshin gjerësisht në OKB, por mungoi përqasja konkrete ndaj tyre. Qeveritë i kanë futur duart në xhep për të shpëtuar bankat, jo vendet më të dobta. Ç’mendoni ju?
Kur flasim në OKB për këto gjëra, gjatë kohëve të fundit vërehet gjithnjë e më tepër një mori pikpamjesh. Të gjithë flasin për zhvillimin, por ekzistojnë mijëra konceptime të zhvillimit. Përsa i përket varfërisë dhe të drejtave të njeriut, ka nga ata që e thonë në mënyrë të tërthortë: “Të drejtat e njeriut i jap unë si shtet, jam unë që përcaktoj përmbajtjen e tyre, që them se ku zbatohen e ku jo”. Të tjerë, ashtu si edhe ne, thonë se ka të drejta themelore bazë, që janë karakterizuese të personit dhe nuk mund t’i nënshtrohen votës së këtij, apo atij. Për shkak të këtij fragmentimi, vërtet që OKB-ja punon shumë mbi këto aspekte, por rezultati është i llojit “mali polli një mi”. Këtu na ndihmon enciklika e Papës “Caritas in Veritate”. Vërej se shumë ambasadorë të delegacioneve në OKB e konsiderojnë atë me një frymëmarrje të gjerë e po ashtu, edhe mesazhin e Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Paqes mbi Krijimin. Fjalë që na japin perspektivën e drejtë të diskutimit, sepse, siç thashë më parë, ekziston kjo frymë prej Kulle Babeli, që na ndan, në vend që të na bashkojë.
Kohët e fundit, në një fjalim drejtuar Kombeve të Bashkuara, ju keni nënvizuar se si zhdukja e varfërisë dhe gjetja e një pune dinjitoze për të gjithë janë baza e integrimit shoqëror. Mendoni se ekziston sensibilitet i mjaftueshëm nga ana e atyre që i kanë në dorë këto çështje?
Unë jam nisur nga një konstatim që bën Papa në enciklikën “Caritas in Veritate”. Thotë se globalizimi na ndihmon të bashkëjetojmë në mënyrë të qytetëruar, por nuk na bën vëllezër. Kjo më duket një pikë e rëndësishme për integrimin, duhet të synojmë të bëhemi vëllezër. “Vëllazërimi” ka domethënie të veçantë për ne të krishterët e pikërisht ky është kontributi që duhet të japim.
Janë të njohura tashmë vështirësitë për arritjen e konsensusit, që do të çojë në reformimin e Këshillit të Sigurimit. Në ç’pikë është ndalur debati?
Në këtë moment, vërejmë se përsëriten qëndrimet e vendeve e të grupeve të ndryshme, por akoma nuk ekziston një tryezë e vërtetë bisedimi për një ose dy formula të paktën. Një gjë është e sigurtë: nëse OKB-ja nuk shpejtohet në reformimin serioz të disa çështjeve e mënyrave të veprimit – sidomos të Këshillit të Sigurimit – do të vazhdojë ta humbasë rëndësinë e vet.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.