(26.02.2010 RV)Vinçenc Dorsa (1823-1885). Lindi në Frasnitë
të Kozencës në Kalabri më 26 shkurt 1823. U shkollua në kolegjin e Shën Adrianit në
Shën Mitër Korone e më pas në kolegjin Urbanian të Propaganda Fides në Romë. Për shumë
vjet qe mësues i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë.
Vepra me të cilën nisi të bëhej i njohur, është Su gli Albanesi, ricerche
e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione
divisa e dispersa ma una (kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një të vetëm).
Me këtë vepër synoi, siç e thotë vetë në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit
publik për mbrojtjen e të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur".
Vepra përmban të dhëna të begata për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri
në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë
popullore, zakonet dhe letërsinë. Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua
albanese, Kozencë 1862 (Studime etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione
greco-latina nei dialetti della Calabria citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine
në dialektet e Kalabrisë së Epërme). Të pabotuara kanë mbetur veprat Discorso
in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip gjatë studimeve në Romë dhe
dorëshkrimi i gjashtëdhjetepesë këngëve popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin
Canti popolari albanesi (Këngë popullore shqiptare). Dorsa njihet edhe si përkthyes
i Ungjillit të Shën Mateut, nga i cili ruhet një variant kalabrez, i rishikuar nga
Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi Lyi-Lusië Bonaparti.