2010-02-25 13:11:35

Shkodër: rritet sipërfaqja e zonave të përmbytura


(25.2.2010 RV)Ndërsa dita e sotme në qarkun e Shkodrës është me mot pa rreshje shiu, shkarkimi i ujit nga portat e liqeneve të hidrocentraleve, ka risjellë përmbytje, ku krahas komunës Ana e Malit, e Dajçit të Bregut të Bunës, Gurit të Zi dhe Bushatit, ato janë shtrirë edhe në komunën e Berdicës, shumë pranë qytetit dhe në Trushin e poshtëm. Situata është nën kontroll dhe gatishmëria e shtetit, e plotë.
Prefekti i Shkodrës dhe kryetar i Shtabit të Emergjencës Civile, Maxhid Cungu tha sot për ATSH-në se sipërfaqja e zonave të përmbytura është rritur.
"Gjatë orëve të natës shkarkimet nga liqenet e Vaut të Dejës dhe Komanit kanë qënë në në nivel të lartë, 1960 m3/sek, ç'ka ka bërë që harta e sipërfaqeve të zonave të përmbytura të zgjerohet", tha prefekti Cungu.
Ai shtoi se në terren forca të shumta të ushtrisë dhe policisë, strukturat e Shtabit të Emergjencës civile në prefekturë dhe qëndër po punojnë në përforcimin e argjinaturës së fshatit Darragjat të komunës Dajç i Bregut të Bunës për ta ruajtur nga nga ndonjë dëmtim i mundshëm.
Cungu bëri të ditur se në dispozicion të banorëve të përmbytur, që nga mbrëmja e djeshme janë ngritur dy kampingje në Sukaj të Dajçit dhe Pentarë, ndërsa po punohet për ngritjen e të tretit në Berdicë, i cili është në përfundim e sipër. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.