Në Shqipëri krijohet “task force” për zbardhjen e viktimave të ekzekutuara nga regjimi
komunist.
(25.2.2010 RV)Qeveria e Tiranës vendosi dje, në mbledhjen e radhës krijimin
e Task-Forcës për kërkimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë
viteve të regjimit komunist. Zyra e shtypit e Kryeministrit të Shqipërisë
bëri të ditur se për realizimin e qëllimit të saj, Task Force bashkërendon punën për
identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë viteve të regjimit komunist, për të
cilët nuk dihet vendi i varrimit, identifikimin dhe zbulimin e vendndodhjeve të varreve,
gjetjen e eshtrave, verifikimin dhe identifikimin e tyre. Task Forca do të
kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe do të ketë në përbërje Drejtorat e
Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, të Arkivës së Shërbimit Informativ Shtetëror,
Arkivës së Ministrisë së Brendshme; Arkivit Qendror në Ministrinë e Mbrojtjes, zëvendësdrejtori
i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, nëndrejtori
i Institutit të Mjekësisë Ligjore; Kryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë.
Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues të sistemit
të drejtësisë dhe të institucioneve të tjera të interesuara, kur çmohet se pjesëmarrja
e tyre do jetë e vlefshme për përmbushjen e misionit të saj. Task-Forca ndihmohet
nga sekretariati teknik, i cili ka në përbërje një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme
e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë; nga Drejtoria Juridike, në Ministrinë e
Brendshme dhe një përfaqësues nga Policia e Shtetit. Kryetari i Task-Forcës
raporton me shkrim, pas çdo mbledhjeje, pranë Kryeministrit, lidhur me ecurinë, problematikat
e hasura, masat e ndërmarra dhe rezultatet konkrete të arritura. Disa ditë
më parë familjarë të viktimave të regjimit komunist gjetën gjatë gërmimeve në një
vend në malin e Dajtit eshtrat e rreth 13 personave, të cilët mendohen se janë ekzekutuar
nga regjimi diktatorial gjatë viteve 1970-1980. Ky fakt nxiti një debat publik lidhur
me problematikën e viktimave të regjimit, një pjesë e të cilëve ende sot nuk dihet
se ku janë varrosur. Në këtë kontekst, më 16 shkurt komisioni Parlamentar
i Ligjeve miratoi dy projektligje, të propozuara nga Qeveria, që synojnë të nderojnë
viktimat e regjimit komunist, përkatësisht p/ligjin "Për simbolet e përkujtimit të
viktimave dhe krimeve të komunizmit në Shqipëri" dhe p/ligjin "Për krijimin e Institutit
të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri".