2010-02-25 14:49:51

Nunci i Vatikanit në Bagdad: kush dëshiron të largojë të krishterët nga Iraku, shkatërron historinë e kombit


(25.02.2010 RV)Një Irak pa të krishterë: ky është skenari, që po materializohet ditë pas dite, në një tokë ku krishterimi është i pranishëm, që nga fillimet e tij. Një “Udhë Kryqi”, ajo që po përjeton bashkësia e krishterë irakiane dhe që Papa po e ndjek me dhimbje të thellë.
Pikërisht sot, është botuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, letra që sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone i pati dërguar para një muaji kryeministrit irakian Nuri Kamil Muhamed al-Maliki, ku, duke përmendur vizitën në Selinë e Shenjtë në vitin 2008 dhe takimin me Benediktin XVI, i kujton shpresën e përbashkët për dialog e bashkëpunim ndërmjet etnive e feve të pranishme në vend.
Që atëherë, Papa pati kërkuar respektimin e lirisë së kultit dhe mbrojtjen e të krishterëve e të kishave të tyre. Po gjatë vizitës së tij në Vatikan, kryeministri irakian pati siguruar se qeveria do ta merrte seriozisht në konsideratë gjendjen e pakicës së krishterë, e cila jeton prej shekujsh në harmoni me bashkësinë islame, duke kontribuar në mirëqënien ekonomike, kulturore dhe shoqërore të kombit (këto janë fjalët e atëhershme të al-Malikit).
Kardinali Bertone sqaron në letrën e një muaji më parë se ka qenë Papa, ai që i ka kërkuar t’i shkruajë kryeministrit të Irakut, për t’i shprehur solidaritetin për të gjithë ata që vriten ose plagosen në sulmet kundër ndërtesave të qeverisë, apo kundër vendeve të kultit, qofshin këta myslimanë apo të krishterë. Ati i Shenjtë – përfundon letra – lutet me zjarr për fundin e dhunës dhe i kërkon qeverisë të bëjë ç’është e mundur për të rritur sigurinë pranë vendeve të kultit në të gjithë vendin.
Vrasjet e fundit në Mosul e shtynë ipeshkvin e dioqezës martire, imzot Emil Shimoun Nona të flasë për “emergjencë humanitare”. Vetëm dje, qindra besimtarë të krishterë braktisën qytetin. Për domethënien e këtij gjesti flet në mikrofonin tonë nunci i Irakut, imzot Frensis Asisi Çulikat:
Të krishterët janë këtu që prej 2000 vjetësh e ndajnë gjithçka me pjesën tjetër të popullsisë. Prandaj, çdo përpjekje për të zvogëluar praninë e krishterë, ose për ta larguar atë krejt nga Iraku do të shkatërrojë historinë e vetë kombit. Të krishterët janë pjesë përbërëse e këtij kombi dhe duan ta rindërtojnë vendin bashkë me të tjerët. Gjatë këtyre viteve, kanë pasur një rol të rëndësishëm, që po përpiqen ta luajnë plotësisht. Kontributi i të krishterëve dhe i të gjitha Kishave të krishtera është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Cili është roli i të krishterëve për paqen e pajtimin në Irak?
Në të vërtetë, të krishterët janë pikërisht nxitësit e pajtimit e të paqes. Të gjitha Kishat irakiane përfshihen në dialogun ndërfetar, janë në kontakt të vazhdueshëm me bashkësitë myslimane në Irak… edhe tani një delegacion sunitësh e shiitësh erdhën në nunciaturë për të shprehur solidaritetin e tyre në këto kohë të vështira për të krishterët, sidomos në Mosul. Kjo do të thotë se të krishterët janë pa dyshim nxitës të paqes e se ky rol i rëndësishëm vlerësohet edhe nga qeveria. Fatkeqësisht, në këto momente të vështira, duket se autoritetet lokale nuk janë në gjendje të kontrollojnë dhunën kundër popullsisë irakiane. Por kjo nuk do të thotë se të krishterët nuk do t’i vazhdojnë përpjekjet për pajtimin e popullsisë.
Papa i ka kërkuar disa herë, edhe kohëve të fundit, autoriteteve irakiane të garantojnë sigurinë e të krishterëve në Irak. Dëshironi edhe ju të bëni një thirrje përmes mikrofonit të Radio Vatikanit?
Bashkësia ndërkombëtare do të bënte mirë ta merrte për zemër fatin e pakicave në Irak, sidomos të të krishterëve që pësojnë dhunë. Mbrojtja e pakicave është e rëndësishme, pasi janë ata që nuk kanë zë në shoqëri, prandaj mënyra e vetme me të cilën mund ta ngrenë zërin është përmes instancave ndërkombëtare. Për të krishterët, është e rëndësishme që të drejtat e tyre të mbrohen në nivelin kombëtar, që e ardhmja e tyre të sigurohet e tutelohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.