2010-02-25 15:21:43

Dita e pestë e Ushtrimeve Shpirtërore të Krezhmëve për Kurien Romake e Papën


(25.2.2010 RV)Sot dita e pestë e ushtrimeve shpirtërore për Kurien Romake e me pjesëmarrjen e Papës Benediktit XVI, në kapelën e ‘Nënës së Shëlbuesit’ të Pallatit Apostolik në Vatikan, ishte dita “kristologjike”. Predikatari i këtyre ushtrimeve shpirtërore, meshtari salezian, don Enriko Dal Kovolo, meditimet e tij të sotme i përqendroi mbi historitë e thirrjeve të nxënësve të parë të Jezusit, sipas ungjillit të Shën Gjonit Ungjilltar (Gjn 1,35-51) si dhe mbi figurën e teologut salezian, don Xhuzepe Kuadrio (1921-1963).
Po kujtojmë, në Vatikan, Ushtrimet Shpirtërore të kohës së Ardhjes e të Krezhmëve, janë themeluar nga Papa Piu X më 1929. Papa Ratti ishte admirues i bindur e ithtar shpirtëror i shën Injacit të Lojolës, që njihet si ideatori i ushtrimeve shpirtërore, si vepra “më e urtë dhe kodi universal i qeverisjes shpirtërore të shpirtrave”.
Në vazhdim, disa dokumente papnore si Kushtetuta Apostolike ‘Summorim Pontificum ‘e 25 korrikut të vitit 1922, enciklika e 20 dhjetorit të vitit 1929 ‘Mens Nostra’ e dokumente tjera, vlerësojnë rëndësinë e Ushtrimeve Shpirtërore dhe informojnë botën katolike duke promovuar këtë ‘praktikë të dobishme’ për përtëritjen shpirtërore të çdo besimtari. “Sëmundja e madhe e epokës moderne është mungesa e reflektimit”..., ushtrimet shpirtërore i mundësojnë njeriut të vështron në brendësi të shpirtit, të mendon e reflekton mbi vetveten, vlerat e vërteta të jetës dhe drejtimin e udhës e cakun e ekzistencës. Kështu mund të gjendet paqja e brendshme e fuqia e veprimit në jetën e përditshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.