Shqipëria miraton projekt ligjin për krijim e institutit të kujtesës
(23.2.2010 RV)"Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në
Shqipëri" është emërtimi që do të marrë institucioni që do të hedhë dritë mbi krimet
dhe viktimat e periudhës së diktaturës së komunizmit në Shqipëri, për periudhën 29
nëntor 1944 - 8 dhjetor 1990. Mënyra e funksionimit të këtij Instituti,
e parashikuar në projektligjin e posaçëm të propozuar nga Qeveria dhe të miratuar
sot nga komisioni parlamentar i Ligjeve, ka të bëjë me studimin, dokumentimin dhe
publikimin për shoqërinë shqiptare e më gjerë, të krimeve dhe pasojave të diktaturës
komuniste në Shqipëri. Dy elementë të rëndësishëm të draftit janë përbërja
apolitike e këtij Instituti dhe mënyra e re e të shkruarit të historisë së Shqipërisë
gjatë 45 viteve të komunizmit. Instituti do të mbledhë në një dorë dokumentat dhe
dosjet e asaj kohe, të cilat do të vihen në dijeni të publikut. Ky institucion
do të drejtohet nga drejtori ekzekutiv dhe nga bordi përkatës, anëtarët e të cilit
do të kenë një mandat pesëvjeçar, ndërsa do të emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga
Kuvendi i Shqipërisë. Zgjedhja e anëtarëve të bordit do të bëhet nga institucione
apolitike, si Instituti i të Përndjekurve, Akademia e Shkencave, shoqëria civile etj,
gjë që është shumë e rëndësishme për vendimmarrjen e tij. P/ligji, që do
t'i përcillet së shpejti për miratim Kuvendit, parashikon kritere të veçanta për nëpunësit
e Institutit. Ata nuk duhet të kenë qenë anëtarë ose kandidatë të PKSH-së ose PPSH-së;
nuk duhet të kenë bërë shkollime apo kualifikime në shkollat e larta politike të Sigurimit
ose mbrojtjes së Shqipërisë apo vendeve të Traktatit të Varshavës; të mos kenë qënë
anëtarë ose nëpunës së Sigurimit të Shtetit etj. (nga ATSH-ja)