Më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir,
nxënës i Shën Gjonit Apostull.
(23.2.20010 RV)Polikarpi, pra i njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe të
tjerët apostuj që e kishin parë Zotërinë Jezus. Prandaj na paraqitet si dëshmitar
i jetës apostolike dhe njeri i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar
filipianëve e maqedonëve të krishterë. Polikarpi jetoi në heshtje e fshehtësi,
duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse tepër plak dhe i lodhur. Por kur i erdhi
koha të dilte haptas e publikisht, diti ta mbrojë dhe kumtojë me një guxim të jashtëzakonshëm
fenë e vet në Krishtin. Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën
e 23 shkurtit të vitit 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike
e liturgjike. I zvarritur para Prokonsullit Stacio Kuadratit- rrëfehet në dokument
– Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin, por ai u përgjigj me këto fjalë duke tundur
kokën: “Që prej 86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj
kundër Mbretit tim që më shëlboi? - A e di se mund të të djeg përsëgjalli? –
i tha Prokonsulli. - Zjarri me të cilin më kërcënoni – përgjigji Shën Polikarpi
– të djeg për një çast, por pastaj kalon; unë ia kam frikë n zjarrit të amshuar të
dënimit!” E ndërsa digjej i gjallë në mesin e amfiteatrit të Smirnës (Izmirit
të sotëmnë Turqi)), Polikarpi i lartonte Zotit një uratë të shkurtër, por nga zemra:
“O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga Jezu Krishti,
meshtar i amshuar e i gjithëpushtetshëm – e qoftë i nderuar emri yt së bashku me Jezusin
e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!”. E sakaq, trupi i pjekur nga
zjarri u shndërrua në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë dokumenti i përmendur-
vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar dëshmie në Krishtin e Gjallë.