2010-02-23 15:20:03

Keqardhja dhe ngushëllimet e Papës Benediktit XVI për viktimat e përmbytjeve në ishullin e Madeirës. Solidariteti i ipeshkvijve portugezë.


(23.02.2010 RV)Benedikti XVI shpreh keqardhjen e tij të thellë për viktimat e përmbytjeve që në ditët e kaluara goditën ishullin portugez të Madeirës duke shkaktuar 43 të vdekur dhe 250 të humbur. Në një telegram që mban firmën e kardinalit të shtetit të Vatikanit Tarçizio Bertone drejtuar ipeshkvit të Funshalit Antonio Zhoze Kavaku Karriju, Ati i Shenjtë Racinger thotë se i vjen shumë keq për pasojat e rënda të shirave të rrëmbyer. Papa i siguron viktimat e tragjedisë se do të lutet për ta dhe se është afër atyre që “u vunë në sprovë nga kjo tragjedi”. Gjithashtu ai nxit të gjitha skuadrat e ndihmës që të punojnë sa më shpejt.

Agjencia e lajmeve Sir, lajmëron se ipeshkvi i Funshalit Imzot Karriju i shpreh solidaritetin e tij të thellë popullatës së goditur nga fatkeqësia dhe nga humbja e të dashurve. Prelati flet për situatën e shkatërrimit dhe vuajtjes në të cilën është e rëndësishme që të kapen menjëherë mesazhet e alarmit dhe këshillat e organeve kompetente. Po ashtu ai falenderon edhe ndihmën e shpejtë që iu është dhënë popullsisë së prekur nga kjo fatkeqësi nga ana e forcave të rendit, të mbrojtjes civile dhe të zjarrfiksave.
Edhe kryetari i konferencës ipeshkvnore portugeze imzot Zhorzh Ortiga i dërgoi një mesazh banorëve të Madeirës në të cilin kujton ata që humbën jetën në këtë fatkeqësi natyrore. “Jam afër atyre që vuajnë për humbjen e të dashurve të tyre dhe për shkatërrimin e të mirave materiale. Iu shfaq të gjithëve gatishmërinë konferencës ipeshkvnore portugeze për të ndihmuar konkretisht për ta kapërcyer këtë fatkeqësi tragjike.” - thotë në telegramin e vet Imzot Ortiga. Në fund kryetari i konferencës ipeshkvnore portugeze uron që “e gjithë bashkësia e krishterë të tregojë solidaridetin e saj me të përmbyturit me vepra konkrete”.







All the contents on this site are copyrighted ©.