2010-02-23 17:04:57

Delegacioni i Këshillit të Evropës përfundon misionin në Shqipëri.


(23.2.2010 RV)Mbështetje për nismën e Presidentit të Shqipërisë Topi për të vazhduar me tryezën e dialogut, thirrje shumicës e opozitës për të gjetur sa më parë një zgjidhje që t’i jap fund krizës politike në Vend, e kështu të vijohet me reformat e domosdoshme. Kjo pra është thirrje e presidentit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, parlamentarit turk Mevlut Çavusoglu, gjatë konferencës së shtypit në Tiranë.
Mes tjerash, delegacioni i nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në konferencën për shtyp dhënë paraditen e sotme në Tiranë i bëri thirrje opozitës së Shqipërisë që të kthehet në parlament jo vetëm për një kohë të shkurtër, por për të marrë pjesë në punimet e tij.
"Ne i bëjmë thirrje opozitës që të kthehet në parlament. Opozita nuk duhet të kthehet vetëm për një periudhë të shkurtër, vetëm për një ditë. Ne i bëjmë thirrje opozitës të qëndrojë dhe të marrë pjesë në punën e parlamentit", tha kryetari i delegacionit të KiE-së, Mevlut Çavusoglu në komunikimin me gazetarët në Hotel Rogner, në përfundim të misionit të zyrtarëve të lartë të Këshillit të Evropës në Tiranë.
Pas publikimit të deklaratës përfundimtare të delegacionit të AP-së, i pyetur nga gazetarët për kërkesën e vazhdueshme të opozitës për hapjen e kutive të votimit, Çavusoglu u përgjigj se për këtë çështje ne shpresojmë se do të ndërmerren disa hapa pozitivë.
"Ne shpresojmë se do të bëhet progres lidhur me këtë çështje, ku të dyja palët do të mund të arrijnë një zgjidhje. Në rast se palët nuk e bëjnë dot këtë ne sigurisht mund të propozojmë rekomandimet tona, por në këtë rast nuk është e nevojshme ta bëjmë këtë", nënvizoi kreu i delegacionit të KiE-së në Tiranë, në konferencën për shtyp.
I pyetur për çështjen e hetimit të zgjedhjeve përmes një komisioni parlamentar, z. Çavusoglu u përgjigj se "mandati i komisioni hetimor është që të bëjë dhe ndryshimet përkatëse në kodin zgjedhor. Ne nuk e kemi përmendur në deklaratën tonë hapjen e kutive të votimit, dhe këtë nuk e kemi bërë sepse presim të bëhet progres lidhur me këtë. Për këtë arsye ne në deklaratën nuk kemi bërë asnjë propozim, as për Komisionin e Venecias apo hapat e tjera që mund të ndërmerren. Por, nëse do të vazhdojnë mosmarrëveshjet apo interpretimet e ndryshme që mund t'i bëhen kësaj çështje ne sigurisht që do të japim opinionin tonë. Por, ne shpresojmë për një progres pozitiv".
Lidhur me drejtimin e komisionit hetimor, kreu i delegacionit të KiE tha se "ne kemi propozuar, dhe kjo është pranuar edhe nga kryeministri, që kryetari i këtij komisioni të drejtohet nga opozita. Shpresojmë që kjo gjë të mund të vijojë dhe të vërë në punë parlamentin se në fund të fundit ajo që nevojitet nga njerëzit e këtij vendi është vënia në punë e parlamentit".
"Asambleja Parlamentare e KiE-së pret progres dhe kjo do të thotë që opozita të kthehet në parlament dhe ky është rezultati që ne presim. Nëse ju do e lexoni deklaratën me kujdes ne i bëjmë thirrje të dyja palëve dhe kjo deklaratë e përbashkët nuk kupton se ne jemi në favor të njërës apo të tjetrës palë. Ne i kërkojmë dhënien fund të krizës dhe të bojkotit. Ne si Asamble Parlamentare presim të kryhet progres në vend, sidomos lidhur me kodin elektoral dhe çështje që lidhen me Kushtetutën. Por, që të bëhen këto duhet t'i jepet fund kësaj krize nga të dyja palët", u shpreh z. Çavusoglu.
Ai theksoi se delegacioni i KiE-së ndodhet në Tiranë për të ndihmuar, mbështetur dhe kontribuar në zgjidhjen e krizës politike, por është në varësi të partive dhe aktorëve politikë që të marrin iniciativa për t'i zgjidhur këto probleme. "Ne i jemi mirënjohës Presidentit Topi për rolin e tij si ndërmjetës në zgjidhjen e kësaj çështje, por varet nga dy partitë politike dhe nga udhëheqësit e tyre për gjetjen e zgjidhjes së krizës", u shpreh kryetari i delegacionit të KiE-së.
Gjithashtu, Çavusoglu vuri në dukje se AP do e ndjekë çështjen, pasi Shqipëria është nën një proces monitorimi.
"Ne kemi dy bashkëreporterë dhe do e ndjekim situatën në vend nga shumë afër, e cila mendojmë ne, është shumë serioze. Shqipëria është një vend anëtar i KiE-së, ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Shqipërinë," nënvizoi kreu i delegacionit të Asamblesë Parlamentare në përfundim të konferencës për shtyp. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.