Alston: Shpëria duhet të bëjë pasqyrim të plotë të shkeljeve të drejtave të njeriut
gjatë regjimit komunist.
(23.2.2010 RV)Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore,
Prof. Philip Alston, gjatë një konference për shtyp sot në Tiranë, sugjeroi që Shqipëria
lipset të bëjë një pasqyrim të plotë të shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë
periudhës së regjimit komunist. "Njëzetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria
nuk është marrë në mënyrë të plotë me vrasjet dhe shkeljet e tjera të të drejtave
të njeriut të kryera gjatë atyre viteve. Është pranuar gjerësisht se mijëra shqiptarë
janë torturuar, ekzekutuar dhe zhdukur nga shteti, por shumë nga familjet e viktimave
nuk kanë arritur të mësojnë fatin e të dashurve të tyre dhe detajet e shkeljeve të
regjimit nuk janë nxjerrë në dritë", tha prof. Alston në këtë konferencë ku dha
përfundimet mbi një sërë çështjesh që ai vëzhgoi pas një vizitë disa ditore në rajone
të Shqipërisë. Për zotin Alston, "kjo vjen për shkak se Shqipëria është një
prej pak vendeve të ish-Perdes së Hekurt, që nuk i ka hapur arkivat e saj të shërbimeve
sekrete të periudhës komuniste". Raportuesi për të Drejtat e Njeriut, Philip
Alston, theksoi se "Qeveria duhet të konsiderojë ngritjen e një komisioni kombëtar
për kryerjen e një hetimi të pavarur, sistematik dhe të qëndrueshëm të shkeljeve të
periudhës komuniste". Deri në atë moment, tha ai, Qeveria duhet të sigurojë
që institutit të propozuar për studimin e shkeljeve të kohës së komunizmit t'i jepet
akses i plotë në çdo burim të mundshëm informacioni lidhur me këtë periudhë dhe që
të jetë në gjendje të përdorë pushtetin e vet për t'i paraqitur raste specifike Prokurorisë
për shqyrtim. Përsa i takon çështjes së gjakmarrjes, Alston evidentoi se numri
i vrasjeve për shkak të gjakmarrjes në Shqipëri është ulur në mënyrë progresive gjatë
pesë vjetëve të fundit, por dukuria, sipas tij, "nuk është zhdukur krejtësisht. Për
më tepër, pasojat e saj më të gjera vazhdojnë të kenë një efekt gërryes në shoqëri".
Sipas tij, problemet më të rëndësishme kanë të bëjnë me ngujimin e madh të familjeve
që i tremben një vrasjeje për hakmarrje. Ndërkohë ai vlerësoi përpjekjet e
qeverisë për trajtimin e gjakmarrjes, por shtoi se "qeveria mund të luajë një rol
më të fuqishëm në ndërgjegjësim, sidomos në dhënien e ndihmës ndaj përpjekjeve për
pajtimin e familjeve, gjë e cila deri tani u është lënë në dorë thuajse plotësisht
vetë familjeve dhe shoqërisë civile". Në këtë kuadër, Raportuesi i Posaçëm
i Kombeve të Bashkuara, Alston, rekomandoi ndërmarrjen e masave të tilla si: ngritjen
e sekretariatit tashmë të planifikuar prej kohësh për Komitetin e Koordinimit të Gjakmarrjes,
nxitja e kërkimeve ndërdisiplinare lidhur me çështjen e gjakmarrjes, përfshi shkaqet
dhe mjetet për t'i dhënë fund vrasjeve dhe ngujimit, që ndoshta mund t'i besohet një
Instituti të ri Kombëtar të Kriminologjisë, etj. Lidhur me dhunën në familje,
ai vuri në dukje se dhuna në familje mbetet një problem shumë i gjerë dhe shumë mbetet
për të bërë. Ndërkohë që, vlerësoi progresin domethënës të bërë nga Qeveria në hartimin
dhe zbatimin e strategjive që trajtojnë nivelet e larta të dhunës në familje.
Një tjetër çështje e trajtuar nga Alston ishte edhe ajo për "Gerdecin", ku ai theksoi
se "gjykimi i atyre që mbajnë përgjegjësi për jetët e humbura, plagosjet e shkaktuara,
dhe pronën e shkatërruar nga shpërthimi i Gërdecit në mars të vitit 2008, është qartësisht
një çështje e rëndësisë së lartë." "Shqetësimi im është nëse vdekjet e
Gërdecit janë hetuar në mënyrë domethënëse dhe nëse po gjykohen në mënyrë efektive.
Prokurori i Përgjithshëm duhet të garantojë se ngjarjet që çuan në shpërthimin e Gërdecit
do të hetohen plotësisht, të gjitha palët përgjegjëse do të gjykohen, dhe, aty ku
është e nevojshme, të bëhen kërkesa për heqjen e imuniteteve", tha ai.
Gjatë kësaj konference, Prof. Philip Alston shprehu vlerësime për progresin dhe arritjet
që ka shënuar Shqipëria. "Si nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, ashtu
edhe nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, Shqipëria ka arritur
jashtëzakonisht shumë brenda një periudhe shumë të shkurtër. Këto arritje mbresëlënëse
është e qartë se do t'i shërbejnë vendit më mirë teksa ecën në rrugën drejt kandidimit
për anëtarësim në BE", tha ai. Profesor Philip Alston zhvilloi një vizitë
në vendin tonë në datat 15-23 shkurt, ku udhëtoi në Tiranë, rajonin e Shkodrës dhe
të Fushë-Krujës. Hetimet e tij mbi vrasjet e paligjshme u përqendruan veçanërisht
tek gjakmarrja dhe dhuna në familje si dhe çështjet e transparencës rreth vrasjeve
të tjera të dyshuara. Gjatë kësaj vizite, ai pati takime me Presidentin e
Republikës, Bamir Topi,, Kryeministrin Sali Berisha dhe zv/kryeministrin Ilir Meta
si dhe me disa anëtarë të kabinetit qeveritar. Gjithashtu, Alston zhvilloi takime
me kryetarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Krimeve të
Rënda, anëtarë të Parlamentit, zyrtarë të lartë të policisë, përfaqësues së Këshillit
të Lartë të Drejtësisë, Avokatit të Popullit si dhe zyrtarë ndërkombëtarë, përfaqësues
të shoqërisë civile vendase e të huaj, akademikë, dëshmitarë dhe një numër te konsiderueshëm
familjesh të përfshira në gjakmarrje. (nga ATSH-ja)