2010-02-22 14:50:10

Të krishterët e myslimanët e Lindjes së Mesme takohen në Romë.


(22.2.2010 RV)“E ardhmja është të jetojmë së bashku. Të krishterët e myslimanët e Lindjes së Mesme në dialog”: kjo është tema e një takimi të organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit në Romë, pranë selisë qendrore të komunitetit Kishtar. Nisma synon të jetë rast i volitshëm për analizimin e problematikave të zonës së lindjes së mesme dhe kontributit të feve për paqen e bashkëjetesën, në një perspektivë ekumenik dhe ndërfetar e me kontributin e autoriteteve shpirtërore e politike si dhe të përfaqësuesve të botës së informacionit.
Në kuadrin e Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, takimi merr një rëndësi të veçantë për shqyrtimin e problematikave që janë në qendër të vëmendjes: lidhja e pandërprerë ndërmjet dy bashkësive fetare në zona për të cilat trajtohen në takim, kultura e rrënjosur e bashkëjetesës dhe problemet e pakicave etnike e fetare, që detyrohen të shndërrohen në diasporë, sidomos ndër brezat e të rinjve.
Në këtë takim marrin pjesë ministri Efisio Luigi Marras, i Drejtorisë së Përgjithshme të ministrisë së punëve të jashtme të Italisë ‘Mesdhé dhe Lindje e Mesme’, kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore, Rojtari i Tokës së Shenjtë, françeskani Atë Pierbattista Pizzaballa, ipeshkvi i Kerkukut të Kaldejve Louis Sako, ipeshkvi i Alepos së Kaldejve Antoine Audo, me Mitropolitin greko-ortodoks Paul Yazigi, kryeipeshkvijtë e Bejrutit të Maronitëve, Paul Youssef Matar dhe i Algjerit, Ghaleb Moussa Abdalla Bader. Nga pala islame marrin pjesë teologu saudit Mohamed Esslimani dhe dokt. Mohammad Sammak, këshilltar politik i Myftiut të Madh të Libanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.