Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të dielën e parë të Krezhmëve: bota përmirësohet
duke filluar nga vetvetja, me ndihmën e Zotit.
(22.02.2010 RV)Në të dielën e parë të Krezhmëve, Papa Benedikti XVI i përshëndeti
shtegtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit për Lutjen e Engjëllit të Tënzot,
duke kujtuar se për të gjithë Kishën, koha e Krezhmëve është kohë pendese, lutjeje,
kohë veprash bamirësie dhe kthimi në rrugën e Zotit. Agjërimi do të thotë të heqësh
dorë nga diçka e të bëhesh i lirë për të mirën. Krezhmët janë si një periudhë e gjatë
ushtrimesh shpirtërore, ku njeriu mëson të dëgjojë brenda vetes zërin e Hyjit. Por
si ta përjetojmë këtë kohë? Të dëgjojmë Atin e Shenjtë: “Një kohë “agonizmi”
shpirtëror për t’u jetuar sëbashku me Jezusin, jo me krenari e mendjemadhësi, por
duke përdorur armët e fesë, pra lutjen, dëgjimin e Fjalës së Zotit dhe pendesën. Në
këtë mënyrë mund të arrijmë t’i kremtojmë Pashkët me të vërtetë e të jemi gati për
të përsëritur premtimet e bëra me Pagëzimin”. Në Ungjillin e së dielës, Jezusi,
pasi ka marrë pagëzimin nga Shën Gjoni, largohet nga Jordani dhe udhëhiqet nga Shpirti
i Shenjtë në shkretëtirë, ku për dyzet ditë, tundohet nga djalli. Tundimet – nënvizoi
Papa – nuk ishin të rastit, por pasojë e vendimit të Jezusit për të ndjekur misionin,
që ia kishte besuar Ati i Gjithpushtetshëm: “Krishti erdhi në botë për të na
çliruar nga mëkati e nga joshja e dyshimtë, që na shtyn ta planifikojmë jetën pavarësisht
nga Zoti. Ai e bëri këtë jo me shpallje plot bujë, por duke luftuar personalisht kundër
Tunduesit, deri në kryq. Ky shembull vlen për të gjithë: bota përmirësohet duke filluar
nga vetvetja e duke ndryshuar, me hirin e Zotit, atë që s’shkon në jetën personale”. Tundimi
i parë që djalli vë para Jezusin ka të bëjë me urinë. Tunduesit – kujtoi Papa – Jezusi
i përgjigjet se “jo vetëm me bukë jeton njeriu”. Pastaj, djalli i tregon Jezusit të
gjitha mbretëritë e tokës dhe i thotë se gjithçka do të jetë e tij, nëse do ta adhurojë.
Është mashtrimi i pushtetit, të cilit Jezusi ia çjerr maskën dhe e refuzon. Së fundi,
Tunduesi i propozon Jezusit të bëjë një mrekulli spektakolare, të hidhet nga muri
i lartë i Tempullit e të thërrasë engjëjt e Hyjit për ta shpëtuar. Por Jezusi përgjigjet
se “Zoti nuk duhet vënë kurrë në provë”: “Jezusi i kundërvë kritereve njerëzore
të vetmin kriter të vërtetë: bindjen para vullnetit të Zotit. Edhe ky është një mësim
themelor për ne: nëse do të mbajmë në mendje e në zemër Fjalën e Hyjit, nëse ajo hyn
në jetën tonë, mund të sprapsim çdo lloj mashtrimi të Tunduesit”. Ati i Shenjtë
kujtoi në përfundim se për të përgatitur sa më mirë shpirtin për Pashkët, fillojnë
në Vatikan ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake, në praninë e tij.