2010-02-22 18:10:20

Benediktit XVI iu paraqit Vjetari Papnor 2010: shtohen besimtarët katolikë dhe meshtarët në botë, posaçërisht në Azi e në Afrikë.


(23.2.2010 RV)Rritet numri i katolikëve në botë, e po kështu, edhe numri i meshtarëve e i seminaristëve, posaçërisht në Azi e në Afrikë: e mësojmë këtë nga të dhënat e Vjetarit Papnor 2010, që ia paraqitën Papës, të shtunën e kaluar, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone dhe imzot Fernando Filoni, zëvendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit për çështjet e përgjithshme. Vjetari u hartua nën kujdesin e Imzot Vitorio Formentit, i ngarkuar me këtë detyrë nga Zyra Qëndrore e Statistikës së Kishës; nga profesor Enriko Nena e bashkëpunëtorët e tyre. Ndërsa puna e ndërlikuar për shtypjen, u realizua nën kujdesin e Dom Pietro Miliaso-s dhe drejtorëve teknikë të Shtëpisë Botuese të Vatikanit. Të dhënat statistikore, që kanë të bëjnë me vitin 2008, analizojnë shkurtimisht ngjarjet kryesore të Kishës katolike, në 2. 945 qarqe kishtare të Planetit. Së shpejti vëllimi do të jetë në librari.

Papa shprehu mirënjohjen e tij për dhuratën e Vjetarit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë të dhënave të reja, të cilat flasin për rritje të vazhdueshme të numrit të katolikëve në botë: në vitin 2008 u regjistruan një miliard e 166 milionë besimtarë të pagëzuar, me një rritje prej 19 milionësh (+1,7%) në krahasim me vitin e mëparshëm. Edhe po të kemi parasysh shtimin e popullsisë botërore, që ka arritur në 6 miliard e 700 milion banorë, vërehet një rritje e ndjeshme e përqindjes së katolikëve, në nivel planetar.

Në rritje, edhe numri i ipeshkvijve që, ndërmjet 2007-tës e 2008-tës, ka arritur nga 4.946 në 5.002 (+1,57%). Rritja më e ndjeshme vërehet në Afrikë (+1,83%) e në Amerikë (+1,57%), ndërsa në Azi (+1,09) e në Evropë, (+0,70%), vlerat janë nën mesataren e përgjithshme. Oqeania regjistron, në të njëjtën periudhë, një përqindje në zbritje, -3%. Këto zhvillime nuk kanë shkaktuar lëvizje të ndjeshme të pranisë së ipeshkvijve për kontinentet e ndryshme.

Evolucion pozitiv, ndonëse i moderuar (rreth 1% në peridhën 2000-2008) edhe për meshtarët, si për dioqezanët, ashtu edhe për rregulltarët, numri i të cilëve gjatë nëntë vjetëve të fundit, nga 405.178 që ishte në vitin 2000, është rritur në 408.024, në vitin 2007; e në 409.166, në vitin 2008. Përsa i përket shpërndarjes së klerit në kontinentet e ndryshme, në vitin 2008 mbizotëron kleri evropian (47,1%), e amerikan (30%), ndërsa aziatikët arrijnë në 13,2%; afrikanët, në 8,7% e ata të Oqeanisë, në 1,2%. Ndërmjet viteve 2000 e 2008 nuk ka ndryshuar përqindja lidhur me meshtarët e Oqeanisë; ndërsa është rritur në mënyrë të ndjeshme pesha e klerit afrikan dhe e meshtarëve amerikanë; ndërkaq numri i klerit evropian ka zbritur nga 51.5 në 47,1%.

Ndërmjet figurave, që mbështesin veprimtarinë baritore të ipeshkvijve e të meshtarëve, rregulltaret me kushte të përhershme përbëjnë grupin me peshë më të madhe numerike. Ndërsa në vitin 2000 numri i rregulltareve në mbarë botën ishte 801.185, në vitin 2008 zvogëlohet me 7,8%, duke arritur shifrën 739.067. Duhet nënvizuar se numri më i madh i rregulltareve kryen misionin në Evropë (40,9%) e në Amerikë (27,5%): megjithatë, pakësimi më i ndjeshëm i tyre vërehet pikërisht në Evropë (-17,6%) e në Amerikë (-12,9%), por edhe në Oqeani (-14,9%), ndërsa në Afrikë e në Azi është tejet e ndjeshme rritja e numrit të rregulltareve (+21,2% për Afrikën e +16,4% për Azinë), gjë që ndikon mjaft në drejtpeshimin e numrit të përgjithshëm, por jo deri në atë pikë, sa ta bëjë të pandjeshëm pakësimin.

Në nivel global, numri i kandidatëve për rrugën e meshtarisë është rritur, duke kaluar nga 115.919, që ishte në 2007-tën, në 117.024 në 2008-tën. Përgjithësisht gjatë dy vjetëve përqindja e meshtarëre u rrit me 1%. Një ndryshim i tillë është pozitiv veçanërisht në Afrikë (3,6%), në Azi (4,4%) e në Oqeani (6,5%) ndërsa në Evropë regjistrohet një rënie prej 4,3%. Në Amerikë gjendja pothuajse nuk ka ndryshuar.

Në vitin 2009 Papa themeloi 8 seli të reja ipeshkvnore dhe një Prefekturë: ngriti në rang dioqezi një prefekturë, ndërsa 3 të tjera, në rang Vikariati Apostolik. Në përgjithësi janë emëruar 169 ipeshkvij të rinj.
Për një koment të këtyre të dhënave, të dëgjojmë Atë Bernardo Cervelerën, drejtor i agjensisë misionare AziaNjuz. Së pari, na flet për shtimin e katolikëve në botë:

Përgjigje: - Kjo është diçka tejet e rëndësishme, sepse tregon që Kisha katolike, dëshmia e krishterë, është ende e gjallë kudo në botë.

Pyetje: - Shtohet edhe numri i meshtarëve e i seminaristëve, posaçërisht në Afrikë e në Azi…

Përgjigje: - Kjo rritje e Kishës, vërehet vërtetë, posaçërisht në Afrikë e në Azi. Është një fenomen i pranishëm prej shumë kohe. Unë njoh më shumë Azinë e mund të them se bashkësitë aziatike janë të vendosura, të kënaqura nga feja e tyre, plot me dëshirë për ta komunikuar këtë fe, aq më shumë që në vende, si ato të Afrikës e të Azisë, të kthehesh në fenë e krishterë, do të thotë të ndryshosh plotësisht jetën tënde, të fitosh një dinjitet të ri, të hysh në marrëdhënie me një bashkësi, që nuk është më ajo fisnore, e cila e mbyt individualitetin. Do të thotë t’i hapësh vetes rrugë të reja krijuese, të fitosh liri të re personale. Për gjithë këto arritje, më duket se është më se e natyrshme që në Afrikë e në Azi të ketë një shtim të jashtëzakonshëm të katolikëve.

Pyetje: - Madje kemi të bëjmë me një rritje në situata të vështira…

Përgjigje: - Një rritje edhe në situata të vështira, sepse këto vende vuajnë nga luftërat, nga vështirësitë, nga perskutimet, nga mungesa e lirisë fetare. E pikërisht për këtë arsye, dëshmitë e të krishterëve janë edhe më mahnitëse. Në se e vërej këtë botë të globalizuar aziatike e afrikane, çfarë shikoj? Shikoj se, në fund të fundit, i mungon propozimi i dinjitetit, që vjen nga feja; i mungon propozimi i një bashkësie, që interesohet edhe për botën, për ta shndërruar shoqërinë; këta afrikanë e këta aziatikë kanë parasysh, si ideal të mundshëm për jetën e tyre, vetëm modelin materialistik. Por kjo është tepër pak.

Pyetje: - Konfirmohet, ndërkaq, një rënie e ndjeshme në Evropë…

Përgjigje: - Për rënien në Evropë, mendoj se varet shumë nga fakti që në Kontinentin e vjetër shekullarizimi është bërë vërtetë shumë, shumë i fortë. Një shekullarizim, i cili ka depërtuar tashmë edhe në familje. Prandaj shumë prindër nuk kanë më kujdes për t’ua transmetuar bijve të tyre vlerat e krishtera, fenë e krishterë. Sipas meje, pritet akoma edhe ndonjë njëzet vjeçar, gjatë të cilit të rinjtë do të vijojnë të rriten nën një ndikim të pakët të krishterimit. Po të kemi, pastaj, parasysh, forcën që kanë mediat jo të krishtera në këtë botë, duket qartë se të rinjve u bën fare pak përshtypje dëshmia e të krishterëve, e ndjejnë pak e aspak kumtimin e krishterë. Prandaj duhet theksuar se është më se i nevojshëm një ungjillëzim i ri i Evropës!







All the contents on this site are copyrighted ©.