Alston takon Berishën: Shqipëria duhet të zbardhë krimet e kryera nga komunizmi
(22.2.2010 RV)Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha u takua sot ne Tirane
me z. Philip Alston , Raporter i Posaçëm i OKB-së për të Drejtat e Njeriut për ekzekutimet
jashtëgjyqësore. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, gjatë këtij takimi
Raporteri i Posaçëm vlerësoi iniciativën e Qeverisë shqiptare në krijimin e Institutit
për Krimet e Komunizmit dhe ngritjen e Task Forcës për gjetjen dhe identifikimin e
eshtrave të viktimave të komunizmit, si dhe i shprehu kryeministrit shqiptar mbështetjen
e plotë në iniciativën e qeverisë për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera nga
regjimi diktatorial. "Shqipëria duhet të zbardhë të gjithë krimet e kryera
gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet
dhe aktorët", u shpreh z. Alston. Më tej, Raporteri i Posaçëm i OKB-së e vlerësoi
shumë pozitivisht Shqipërinë, si një ndër vendet me më pak probleme për sa i përket
numrit të ekzekutimeve jashtëgjyqësore, duke theksuar se Shqipëria lë pas edhe shumë
vende të zhvilluara në këtë drejtim. Në këtë kuadër z. Alston vlerësoi faktin
që në Shqipëri ekziston kuadri i plotë ligjor për krimet ndaj jetës së njeriut, si
dhe rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore, përfshi
edhe rastet e krimeve për arsye hakmarrje, por dhe ndaj krimeve të tjera siç janë
dhuna në familje, etj. Kryeministri Berisha siguroi se lufta me zero tolerancë
kundër krimit është dhe mbetet përparësi themelore e punës së ekzekutivit shqiptar
dhe si e tillë ajo do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si ndaj krimit të organizuar,
ashtu edhe ndaj atij ordiner. Në këtë kontekst, kreu i Qeverisë i bëri të
ditur Raporterit të Posaçëm të OKB-së se si pasojë e kësaj lufte të vendosur, treguesit
e indeksit të krimit në Shqipëri janë më të ultat se mesatarja e vendeve të BE-së.
Gjithashtu, z. Berisha e njohu z. Alston me masat e rëndësishme te marra
nga qeveria shqiptare, si ato financiare ashtu edhe të tjera kundër dhunës në familje
si dhe për mbrojtjen e integrimin e viktimave të dhunës në jetën e përditshme.
Philip Alston, i cili është emëruar Raporter i Posaçëm në vitin 2004 nga Komisioni
i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, është i pavarur nga qeveritë dhe vepron në zotësinë
e tij individuale. (nga ATSH-ja)