2010-02-20 12:58:42

U paraqit programi i Ekspozimit të Sindonës


Gjithçka gati në Torino për Ekspozimin e Sindonës, në program nga data 10 prill deri më 23 maj, dhjetë vjet pas ekspozimit të mëparshëm gjatë Jubileut të vitit 2000. Papa do të shkojë në kryeqytetin piemontez më 2 maj. Pëlhura e lirit do t’u paraqitet shtegtarëve, pas restaurimit të vitit 2002. Priten rreth 2 milion vizitorë. Këto ditë u paraqit në Romë programi i ngjarjeve kulturore e fetare, që do të përshkojnë Torinon në atë periudhë. Sugjestive do të jetë ekspozita “Jezusi. Trupi, fytyra në art”, që do të hapet më 1 prill në Pallatin Mbretëror të Venarisë. Intervistuam për këtë presidentit e Komisionit dioqezan për Sindonën, imzot Xhuzepe Gilberti:
Gjëja e parë është të kuptojmë se ç’është Sindona, pasi kemi të bëjmë me një “objekt” pak si të veçantë, unik. Përveçse një pëlhurë e lashtë, shumë e çmuar, aspekti unik i saj përbëhet nga figura që shihet në qendër, figura e një njeriu të vdekur në kryq e, në veçanti, vërehen elementet që i korrespondojnë ekzaktësisht përshkrimit të Mundimeve të Krishtit në Ungjill. Natyrisht, për një njeri të ndjeshëm, për një besimtar, ky është një element me shumë interes, pasi është pasqyra e Ungjillit, jehona e mesazhit të tij, prandaj bëhet mjet ungjillëzimi. E pikërisht për këtë mjet Kisha e ndjen veten përgjegjëse e së paku herë pas here ndjen nevojën të mbledhë një numër sa më të madh shtegtarësh rreth këtij realiteti të bekuar.
Herën e fundit, kjo ndodhi gjatë Jubileut të vitit 2000. Edhe këtë vit, një Papë tjetër vjen për vizitë te Sindona. Si përgatitet Torino për këtë takim?
Me shumë interes e zemërdredhur e, edhe me shumë dashuri. Kardinali Racinger i atëhershëm ka ardhur që në vitin 1998 sëbashku me gjithë dikasterin e vet, e ka mbajtur edhe një konferencë. Tani do të ketë më pak kohë, por ne jemi shumë më të emocionuar se atëherë në përgatitjen e ngjarjes e në përgatitjen e vetvetes për të dëgjuar mësimin e tij. Nuk ka ngjarje të njeriut që nuk u intereson, apo nuk hyn në ngjarjet e Krishtit. E Papa vjen të na thotë pikërisht këtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.