2010-02-20 12:58:52

Shtegtarë të shumtë në Padovë nderuan reliket e Shna’Ndout


Gjysëm kilometri radhë të mërkurën, por jo më pak edhe në ditët e tjera. Në zemër të Padovës, një zinxhir i gjatë me shtegtarë, të rregullt e të heshtur, përsëritej çdo ditë para Shenjtërores së Shna’Ndout për të parë e për të prekur paksa reliket e taumaturgut portugez, të cilat u ekspozuan në elter gjatë gjithë javës së kaluar. Një lloj “pushtimi paqësor” prej gati një milion vizitorësh, që i detyroi fretërit të zgjasin orarin, për ta mbajtur Bazilikën hapur. Durimi para shiut e erës u kthye në një sakrificë të vogël për një emocion të madh: qëndrimi ballë për ballë me njeriun, që diti të ndërthurë në mënyrë të përkyer thellësinë e studimeve teologjike me gjuhën e njeriut të thjeshtë. Siç e tha edhe Papa Benedikti XVI, ai është një nga shenjtorët më popullorë të Kishës Katolike, i mirënjohur edhe në Shqipëri me shenjtëroren e Laçit, por sidomos me përkushtimin e devocionin që kanë për të katolikë e jo katolikë. Shna’Ndou është biri më i denjë i Shën Françeskut, teologu i parë i familjes françeskane, ashtu si shën Bonaventura e Duns Skoti. Ekspozimi i relikeve të shenjtit përfundoi mbrëmë, në orën 20.00, me Meshën e kryesuar nga Vikari i Përgjithshëm i Urdhërit të Fretërve të Vegjël Konventualë, atë Jerzy Norel. Vendosja e trupit të shenjtit në Kapelën e Arkës u bë në formë private, në orën 21.00, në prani të Legatit Papnor të Bazilikës, imzot Françesko Xhoja dhe të fretërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.