2010-02-20 11:35:59

Përvjetori i rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në Tiranë


(20.2.2010 RV) Shfletojmë Kalendarin për të kujtuar një datë që, pas 19 vjetësh, të ngjall ndjenja të ndryshme kontradiktore. Më 20 shkurt 1991 populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qendër të sheshit Skënderbe monumentin e Enver Hoxhës të cilin, si e hoqi zvarrë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, e copëtoi. E copat u rrëmbyen për t'u asgjësuar përgjithmonë....
Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetët ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, të mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë, pasojat negative të të cilin ende sot rëndojnë në jetën e përditshme.
Shkruan Solzenicyn: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Po, nuk mund e kurrë nuk duhet harruar krimet, terrorin, përndjekjet, viktimat, gjakun e pafajshëm, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.
Ta përkujtojmë atë që ngjau e që simbolizon data e 20 shkurtit të vitit 1991, me një dëshmitar që personalisht ka pësuar përndjekjet e ka përjetuar tmerrin e regjimit komunist në Shqipëri si qindra mijëra njerëz e qytetarë tjerë të pafajshëm të Shqipërisë.
Nuk mund të mos kujtojmë, me këtë rast, një notë të ipeshkvijve katolikë çekë, shkruar pak vite më parë, në valën e polemikës për akuzat e shumë qytetarëve si spiunë të sigurimit, përmes së cilës shpjegojnë se “Kisha e Populli, mbi të gjitha, kanë qenë të persekutuar, kanë qenë viktimë. Është për t’u çuditur – shënohet në notën e ipeshkvijve çekë– q ë mjetet e komunikimit sulmojnë njerëz, të cilët në fund të fundit kanë qenë viktima, ndërsa tolerojnë pa fjalë, praninë e komunistëve të djeshëm ose të trashëgimtarëve të tyre në parlament e në të gjitha postet më të rëndësishme të shtetit e të shoqërisë”.
Po t’i kthehemi datës së 20 shkurtit e domethënies që ka për të gjithë shqiptarë e posaçërisht për qytetarët e Shqipërisë e të dëgjojmë bisedën me poetin Visar Zhiti, ministër këshilltar të Ambasadës së Shqipërisë pranë Shtetit Italian në Romë....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.