2010-02-20 12:49:29

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 1 të Krezhmëve "C". Jo vetëm prej buke jeton njeriu!


(20.2.2010 RV)Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herë do të dëgjojmë dhe lexojmë së bashku leximet biblike të dielës së parë të kohës kishtare të Kreshmëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Me të Mërkurën e Përhime që kremtuam të mërkurën e kaluar, Kisha katolike e filloi kohën e Kreshmëve, kohën e fortë shpirtërore për popullin e krishterë që është i thirrur të rizbulojë e përforcojë fenë e vet në Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar, e përmes veprave pendestare të lutjes, të agjërimit, e të dashurisë (bamirësisë), është i thirrur të kremton me shpirt të ripërtërirë Misterin Pashkor, që është gjithmonë preludi i Pashkës së amshuar. Kështu pra, kemi filluar një udhëtim të ri shpirtëror drejt Pashkëve, një udhë shpirtërore që karakterizohet nga kthimi ynë i vazhdueshëm dhe i përditshëm tek Zoti. Kjo mund të realizohet nëse do të dimë të ballafaqohemi me sfidat e përditshme kurdoherë të kapur për Fjalën e Zotit, sikur pohojnë edhe Leximet biblike të kësaj të diele të Parë të Kreshmëve që trajtojnë temën e fesë e të sprovës së fesë.
Kjo kohë pendestare prej dyzetë ditësh na përkujton jo vetëm 40 vitet e popullit të Izraelit në udhëtim përmes shkretëtirës për të mbërrijë tokën e premtuar, por sidomos na përkujton e tërheq vëmendjen tek dyzetë ditët që Jezusi i kaloi në shkretëtirë para se të fillonte misionin e tij publikisht; ku Ai tundohet nga djalli , ashtu siç na kujton e përshkruan pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Luka (krh Lk 4,1-13).
Për të qenë edhe më saktë, duhet ti referohemi lutjes së Prefacionit të kësaj së diele të Parë të Krezhmëve e cila lutje pohon se kjo kohë pendestare qe themeluar prej vetë Jezusit: " Ai e shuguroi themelimin e kohës pendestare me agjërim prej dyzetë ditësh, e duke i fituar e mposhtur pritat e tunduesit të Vjetër, na mësoi ti mbizotërojmë (sundojmë) tundimet e mëkatit, në mënyrë që ta kremtojmë me shpirt të ripërtërirë misterin pashkor për të mundur t'ia arrijmë Pashkës së Përjetshme" .
Pra, edhe sot, në heshtjen e zemrës sonë Zoti na flet; fuqia e Tij Hyjnore na ndihmon ti kapërcejmë tundimet dhe të jemi kurdoherë në harmoni, në përkim me Të.
Në kremtimin e Liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele ne edhe një herë e jetojmë sakramentalisht fitoren e Jezusit mbi djallin e mallkuar. Krishti qe shtyrë prej Shpirtit të Shenjtë në shkretëtirë ku, pas dyzetë ditësh agjërimi qe tunduar prej djallit. Në atë moment sprove, forca e tij e vetme ishte fjala e Zotit, do të thotë vetë Zoti, që banonte në të (Ungjilli).
Liturgjia e Fjalës e dy të dielave të para të Krezhmëve e vënë para vëmendjes së asamblesë kristiane modelin e njeriut të ri që është Krishti: sot i krishteri e kundron qartë cakun drejt të cilit na orienton udha e kohës së Krezhmëve, do të thotë fitorja mbi mëkat, mbi të keqën e të keqin, djallin.
 Tundimet që Jezusi i përjetoi në shkretëtirë, për të cilat flet pjesa e ungjillit e kësaj së diele, pasqyrojnë e përmbledhin mashtrimet e mëdha të jetës sonë. "Tundimet e mëdha, tundimet e vërteta, nuk janë ato për cilat shqetësohet apo ndjek me ankth një lloj krishterimi moralist, nuk janë ato që do ti prisnim e paramendonim, ato, për shembull, që kanë të bëjnë me sferën seksuale, por janë ato që synojnë ta shkatërrojnë fenë në Zotin" (O. Clément).
Tundimi i parë është ai i zëvendësimit të Zotit, e i zëvendësimit të Hyjit me gjëra: "Thuaji këtyre gurëve të behën bukë, kjo është jeta, nuk ka tjetër".
Tundimi i majës së tempullit e shkatërron fenë në Zotin duke imituar fenë: "Kërkoi Zotit një mrekulli". E të duket se kjo është gjëja maksimale e fesë, derisa në realitet përkundrazi është karikaturë e fesë, është mos besim në Zotin. Të kërkosh mrekulli prej Zotit është kërkim i avantazhit apo dobisë personale, e të mos mbështetësh në dashurinë e Zotit por në dashurinë për veten deri në çmenduri (marrëzi).
Tundimi i pushtetit thotë: "Merre pushtetin porsi zotin tënd e do të kesh pushtetin e botës. Braktise atë Zot që të varfërit do ti bëjë princa të mbretërisë së vet Hyjnore, e prej një fëmije e bën më të madhin në mbretërinë e vet qiellore, atë Zot që ka ardhur për të shërbyer, mikun e publikanëve, të mëkatarëve dhe të prostitutave. Harroje këtë Zot që nuk hyn në pallatet e pushtetarëve përveç si rob apo kriminel i arrestuar, që nuk ka krijuar apo formuar kurrë ndonjë ushtri, por që don ta pushtojë njerëzimin e botën me dashurinë dhe me çmendurinë e Kryqit".
Kuptimi i thellë që i bashkon dhe lidhë të tria tundimet është sulmi frontal ndaj fesë në Zotin që Jezusi kumton. E të gabohesh mbi Zotin është gjëja më e keqe e më themelore që mund të të ndodh. Këtë e shohim me fundamentalistët fetar e në gëzimin e tyre që provojnë duke shkaktuar vdekjen e të tjerëve me vdekjen e tyre personale.
Të gabohesh mbi Zotin: ky është fundi i njeriut. Kuptimi i thellë i tundimeve na sjell tek urdhri suprem i dashurisë së Zotit, i cili për shpëtimin e njerëzimit flijon veten me dashuri. Zoti e dhuron veten për të ruajtur e për ta shpëtuar jetën e tjerëve.
Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na tregon dhe paraqet Jezusin si njeriun e ri që fiton mbi të keqin e të keqën sepse është i udhëhequr prej Shpirtit Shenjtë Zot. Atë çfarë Jezusi ka bërë është shembull edhe për ne në mënyrë që ti ndjekim gjurmët e tija e të ngadhënjejmë mbi të këqijat e të keqin. Ne e dimë se jeta e njeriut mbi tokë është një jetë plotë tundime e shpesh edhe plotë mëkate, e megjithëkëtë Zoti kurrë nuk e braktisë njeriun sepse e do. Për këtë liturgjia na propozon udhën e kthimit tonë shpirtëror dhe njëkohësisht rastin për përforcimin e fesë sonë në Zotin Dashuri, në mënyrë që mund të arrijmë të përgatitur për të kremtuar Pashkën e Zotërisë Jezu Krisht e në Ngjalljen e Tij të kremtojmë ringjalljen tonë për Amshim.
E tani ti dëgjojmë leximet biblike e komentin.....RealAudioMP3
Liturgjia e Fjalës

 
Leximi i parë Lp 26, 4-10
 
Moisiu i kërkon popullit të Izraelit t’ia shugurojë me një rit të përhershëm frytet e para të tokës Hyjit të vet, i cili i ka çliruar nga skllavëria e Egjiptit për t’i drejtuar drejt tokës së premtuar. Besimtari hebre, para se fryti i lodhjes së tij të arrijë mbi tryezë, ia paraqet Hyjit në falënderim, sepse Hyji është pronari i vetëm që nuk jeton nga puna e të tjerëve.
 
Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

 
Moisiu i foli popullit dhe tha: “Atëherë prifti do ta marrë kaçilen prej dorës sate e do ta vërë para elterit të Zotit, Hyjit tënd. Ti atëherë fol në praninë e Zotit, Hyjit tënd, e thuaj: ‘Im atë ishte një sirian endacak. Ai zbriti në Egjipt me pak njerëz dhe atje jetoi në dhe të huaj. U shtua e u bë popull i madh, i fortë e një shumicë pa masë. Por egjiptianët na morën me të keq, na përndoqën dhe na bënë skllevër të mjerë. Atëherë ne lëshuam britmë drejt Zotit, Hyjit të etërve tanë. Ai na dëgjoi; e pa përvujtërimin tonë, mundin e të vështirat tona, dhe na nxori Zoti prej Egjiptit me dorën e vet të fuqishme e krahun e tendur, me tmerr të madh e me shenja e me mrekulli, na pruri në këtë vend e na e dha trashëgim këtë tokë që rrjedh qumësht e mjaltë. Dhe, ja, tani, o Zot, i solla frytet e para të tokës që ti ma dhe.’ Atëherë vëri para Zotit, Hyjit tënd, dhe adhuroje Zotin, Hyjin tënd.”
Fjala e Zotit.

 
Psalmi 91
 
Rri me ne, o Zot, në kohën e tundimit
----------
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit,
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: “Strehimi im,
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në ty.”
----------
E keqja nuk do të të gjejë,
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha
që të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
----------
Do të mbartin para duarsh
që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec,
do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
----------
Do ta shpëtoj sepse më do,
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj,
në vështirësi do të jem me të,
do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
----------

 
Leximi i dytë Rom 10, 8-13
 
Në një marrëveshje besëlidhjeje, të dy palët duhet të mund të besojnë te njëri-tjetri. Kjo është edhe sjellja e besimtarit: një besim i plotë në besnikërinë e Hyjit. Ai nuk ka parë Jezusin e ringjallur, por beson në Të. Të dëshmosh besimin do të thotë të jetosh që tani miqësinë me Hyjin, shpëtimin, që u ofrohet të gjithë njerëzve pa dallime mes hebrenjve dhe paganëve.
 
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

 
Vëllezër, çka thotë Shkrimi shenjt: ‘Afër e ke fjalën, në gojën tënde dhe në zemrën tënde’. Domethënë fjalën e fesë që ne predikojmë. Sepse, në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh. Pra, për të fituar drejtësinë duhet të besosh në zemër e për të fituar shëlbimin duhet ta dëshmosh fenë me gojë. Sepse, Shkrimi shenjt thotë: ‘Kush beson ne Të nuk do të turpërohet.’ Kështu, pra, nuk ka dallim midis hebreut e grekut; të gjithë kanë vetëm një Zot, të pasur ndaj atyre që e thërrasin në ndihmë. Sepse: ‘Kushdo ta thërrasë Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’
Fjala e Zotit.

 
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,
por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 
† Ungjilli Lk 4, 1-13
 
Në luftën që Jezusi zhvillon kundër shejtanit, i krishteri rigjen dramën e tij personale. Në shkretëtirë Izraeli duhej të bënte një zgjidhje: fjalën e Hyjit apo sigurinë politike dhe ekonomike? Hyjin apo idhujt?
Jezusi e bën të tijën këtë mënyrë të të parit të gjërave, duke pohuar kështu se në ç’mënyrë Ai dëshiron të jetë “bir” i Hyjit. Të tundohesh nuk do të thotë vetëm të zotërohesh nga e keqja, por të jesh i shtrënguar për një vendim: ose sigurinë e një jete tokësore, ose besimin e plotë në Hyjin pa ditur se ku do të të çojë.
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

 
Në atë kohë, Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkreti, ku, për dyzet ditë, e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, pati uri.
Atëherë djalli i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroj këtij guri të bëhet bukë.” Jezusi i përgjigji: “Thotë Shkrimi shenjt: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë’.”
Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, e i tha: “Ty do ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua, dhe unë ia jap kujt të dua. Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.” Jezusi i përgjigji: “Shkrimi shenjt thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbej’!”
Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të ruajnë’, dhe ‘do të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur’.” Jezusi i përgjigji: “Por u tha edhe: ‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd’!”
Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.
Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.