Javës që kaloi, me të Mërkurën e Përhime filloi periudha e Krezhmëve, kohë e rëndësishme
e vitit për të krishterët, kohë pendese e agjërimi, kohë kthimi në rrugën e Zotit.
Kjo është edhe thirrja që bëri Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme. Por
vetë Ati i Shenjtë si i përjeton Krezhmët? Të dëgjojmë komentin e zëdhënësit të
Vatikanit, atë Federiko Lombardi: “Në shoqërinë e shekullarizuar, shumë njerëz
nuk e dinë mirë se ç’do të thotë Krezhmë e si duhet jetuar ajo. Nëse duam një përgjigje
të qartë e konkrete, mjafton të shohim se ç’bën Papa Benedikti. Të dielën
e kaluar shkoi në Strehën Vorfnore të Karitasit në Stacionin hekurudhor të Romës.
U takua me të varfërit e qytetit, ku është ipeshkëv: u qëndroi atyre pranë, u shtrëngoi
duart, i pa në sy me mallëngjim, pati për ta fjalë ngushëllimi e shprese. Bamirësi
e dashuri konkrete. Të hënën e të martën ishte me ipeshkvijtë e Irlandës.
U lut e bëri me ta reflektime mbi gjendjen e Kishës në vendin e tyre, ku janë kryer
shumë mëkate e shumë gabime dhe ku shkandulli për abuzimet seksuale nga ana e meshtarëve
ka plagosur shumë njerëz dhe e ka poshtëruar thellësisht Kishën. Papa i këshilloi
të kërkojnë mëshirën e Zotit e dhuratën e Shpirtit Shenjt për përtëritjen e Kishës.
Kthim e pendesë. Të mërkurën e të enjten, Papa kremtoi liturgjinë pendestare,
duke u përhitur ai vetë e duke përhitur të tjerët. Më pas, u takua me meshtarët e
dioqezës për të medituar një faqe të Shkrimit Shenjt. E bëri këtë me inteligjencën
dhe urtinë e tij të thellë e të zakonshme, duke na ndihmuar të rigjejmë shijen – ndoshta
të humbur – të dëgjimit të Fjalës së Zotit. Lutje e dëgjim i Fjalës së
Zotit, kthim e pendesë, vepra bamirëse. Siç thoshte Jezusi kur e pyesnin: Shko e bëj
edhe ti kështu!”