2010-02-19 17:40:01

Reagim i Kinës kundër takimit Obama-Dalai Lama


(19.02.2010 RV)Barak Obama shkoi deri në fund, pavarësisht nga kërcënimet e Pekinit, e dje, priti në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lama. Në përfundim të takimit, presidenti i SHBA-ve përkrahu fuqimisht respektimin e të drejtave të njeriut për tibetianët në Kinë e mbrojtjen e identitetit fetar, kulturor e gjuhësor të Tibetit.
Kina reagoi menjëherë, duke pohuar se është thellësisht e pakënaqur nga takimi, i cili nuk i përmbahet impenjimit të SHBA-ve për të mos mbështetur pavarësinë e Tibetit. Kështu, përveç problemeve në fushën e tregtisë e në atë të të drejtave të njeriut, marrëdhëniet amerikano-kineze keqësohen edhe për shkak të Tajvanit. Kohët e fundit, Pekini e Uashingtoni kanë shkëmbyer kritika për shitjen e armëve Tajvanit, që i siguroi amerikanëve një shumë prej 6 miliard e gjysmë dollarë.
Cili është ndikimi që mund të ketë ashpërsimi i kontradiktave ndërmjet dy vendeve në arenën ndërkombëtare? Të dëgjojmë opinionin e ekspertit për çështjet amerikane në gazetën italiane “La Stampa”, Paolo Mastrolili:
Analistët e politikës së jashtme amerikane mendojnë se SHBA-të kanë marrëdhënie pragmatike me Kinën, prandaj nuk presin ndonjë efekt negativ shumë të madh, pasi kjo nuk është në interes të dy vendeve. Por, natyrisht që ekzistojnë mundësi serioze keqkuptimi. E para ka të bëjë me Iranin: Kina është kundër sanksioneve të reja e mund të bllokojë votën në OKB; njëkohësisht, interesat ekonomike ndërmjet dy vendeve janë jashtëzakonisht të mëdha. Kina është pronarja e dytë në botë e bonove të thesarit amerikan: ka rreth 800 miliard dollarë. Nëse do t’i shiste, do të krijonte pa dyshim një gjendje ekonomike, që Uashingtoni nuk mund ta përballojë. Pastaj ka çështje të tjera, si liria e shprehjes në Internet, që edhe kjo është në qendër të bisedimeve ndërmjet dy vendeve, si edhe aksionet e Pekinit kundër disidentëve.
Kina akuzoi SHBA-të se nuk respektojnë marrëveshjen për të mos mbështetur pavarësinë e Tibetit…
Presidenti Obama dhe Shtëpia e Bardhë sqaruan fare mirë se nuk e mbështesin pavarësinë e Tibetit; ky ishte thjesht një takim me një udhëheqës fetar, që u bë në një kornizë të veçantë. Në fakt, nuk u zhvillua në Studion Ovale, ku presidenti pret zakonisht krerët e shteteve. Ekziston një politikë e SHBA-ve, bazuar mbi konceptin e “një Kine të vetme” - që në thelb, përsëritet që nga koha e Niksonit - me të cilën Uashingtoni është impenjuar të mos e njohë pavarësinë e Tajvanit e si rrjedhojë, të mos njohë as lëvizje të tjera për pavarësi që do të prishnin unitetin e vendit. Në këtë kuadër, hyn edhe impenjimi për të mos e njohur pavarësinë e Tibetit.
Presidenti amerikan Obama deklaroi se përkrah plotësisht ruajtjen e identitetit gjuhësor, kulturor e fetar të Tibetit…
Presidenti sqaroi se e përkrah aktivitetin e Dalai Lamës në favor të të drejtave të njeriut, të paqes e të lirisë fetare. Pra, u ndal një hap para mbështetjes së lëvizjes tibetiane për pavarësi. Por, natyrisht, duke i kërkuar Kinës të respektojë këto të drejta brenda territorit të vet, krijon një problem themelor për Pekinin, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të tibetianëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.